Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, ka përmbyllur vizitën e saj në Pogradec me një performancë live të këngëtares pogradecare, Ermira Babaliu.

Pas një sërë takimesh nga axhenda e saj, ambasadorja Kim ka shijuar në fund këngët pogradecare.

Përveçse ka shijuar live muzikën e Babaliut, ambasadorja ka ndarë dhe një foto me të në rrjetet sociale, ku tregon historinë e veçantë të njohjes me këngëtaren shqiptare, konkretisht në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, teksa ndërronin avionët.

“Si filloi … si po shkon! Unë dhe Ermira Babaliu u takuam duke ndërruar avionët në aeroportin e Frankfurtit në shkurt të vitit të kaluar. Ne kaluam aq mirë në ato 5 minuta sa premtuam të takoheshim në Pogradec muajin tjetër. Bllokimi i Covid ndaloi takimin tonë, por pas më shumë se një viti, së fundmi jemi së bashku në Pogradec duke mbajtur premtimin. Pas disa orësh, Mira do të këndojë “Kali i Bardhë” dhe hite të tjera, dhe unë do të jem atje për të duartrokitur. Por së pari, Mira më dha një vështrim vjedhurazi buzë liqenit …”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.