Gjashtë persona ndodheshin të bllokuar në ashensor kur po binte plot 84 kate në Çikago. Ashensori ra nga kati i 95-të në katin e 11-të të një rrokaqielli, i njohur dikur si Qendra John Hancock.

Ata i dërguan mesazhe miqve të tyre, që thirrën shërbimet e emergjincës dhe arritën të dilnin nga ashensori pas 3 orë përpjekje. Kabina e prishur e ashensorit po mbahej vetëm në një kabllo.

Personat u larguan nga një bar në katin e 95-të të ndërtesës për të zbritur në holl kur ngecën në ashensorin e prishur, që humbi kontrollin. Fillimisht ashensori po zbriste normalisht, më pas filloi të binte.

"Dëgjuam një zhurmë të papritur dhe pluhuri filloi të dilte nga kabina,"-tha Jaime Montemayor që ndodhej në ashensor. "Filluam të bërtisnim. Mendoja se do të vdisnim." Zjarrfikësit arritën ti shpëtonin duke bërë një hapje të madhe në një mur betoni.