Gazeta lokale “Giornale di Vicenza” ka bërë publik një rast kur sulmuesit italian Mario Balotelli i janë kërkuar 100 mijë euro nga një 18-vjeçare që ajo mos ta padiste në polici për dhunë seksuale. Në artikull shkruhet se Balotelli kishte patur një marrëdhënie me vajzën kur ai kishte qenë lojtar i Nicës në Francë. Në atë kohë ajo ka qenë 17-vjeçe, pra minorene por këtë fakt nuk ja ka zbuluar futbollistit duke iu prezantuar më e madhe.

Pikërisht këtë fakt ajo është munduar ta përdorë si shantazh ndaj tij duke e kontaktuar dhe duke i thënë se ka kryer marrëdhënie seksuale me një minorene jashtë dëshirës së saj. Në mënyrë që lajmi të mos dilte dhe mos të bëhej padia ajo ka kërkuar 100 mijë euro. Avokati i saj madje ka kontaktuar gazetën “Chi” për të shitur lajmin.

Por “Super Mario” nuk ka rënë në kurthin e ngritur. Ai ka bërë zgjidhjen e duhur duke kontaktuar këshilltarin e tij ligjor, i cili i është drejtuar policisë ku ka bërë kallëzimin për shantazh ndaj 18-vjeçares. Prokuroria e Vicenza tashmë i ka mbyllur hetimet për këtë çështje.