Mes emocioneve të një shkëputjeje të gjatë nga bankat e shkollës “ Kushtrimi i Lirisë”, brezi i parë i nxënësve të kësaj shkolle që ka mbaruar klasen e 8-të, ka organizuar një takim që përkon me 50-vjetorin e përfundimit të këtij viti. 

Emocionet që përcjellin ish-nxënësit dhe mësuesit tek njëri-tjetri janë të shumta, duke kujtuar edhe mësimdhënësit. Mësuejsa kujdestare Poliksen Dushniku, ndjehet e emocionuar mes dashurisë së këtyre “fëmijëve”, të rritur dhe të thinjur tashmë, që kërkojnë të gjejnë veten nëpër fotot e 50 viteve më parë dhe ndodhen në vështirësi pasi jeta ka bërë të vetën.

Po entuziazmi i takimit i tejkalon vitet dhe gjithsesi, secili prej pjesëmarrësve ndjehet më i rinuar. Janë momente prekëse kur duket se vitet janë rikthyer me të gjithë magjinë e asaj moshe të paharruar.

Një vend të veçantë në takim pati  edhe nderimi i mësuesve të kësaj shkolle, që ata ruajnë në kujtesë, për edukimin që dhanë dhe që janë ndarë tashmë nga jeta.