Kur kanë mbetur dhe pak ditë nga dasma e shumëpritur mbretërore në Britani, ka ndodhur e papritura. Babai i Meghan Markle nuk pranon ta shoqërojë atë në altar. Mediat e cilësojnë këtë si turpërim për Pallatin Mbretëror.

Një notë e stonuar në dasmën mbretërore të princit Harry me Meghan Markle.

Pak ditë nga përgjigja e shumëpritur “po”, të cilën çifti do ta shkëmbejë të shtunën në kështjellën Windsor, babai i nuses vendos të mos marrë pjesë.

Në Pallatin Kensington, ka siklet dhe gjykata britanike është ngulitur pas një “kërkojmë respekt dhe mirëkuptim”. Babai i aktores gjithashtu thotë se ka pësuar një sulm në zemër. Por sipas BBC, heqja dorë në momentet e fundit i atribuohet diçkaje tjetër.

Në një shënim të pallatit Kensington nuk përmendet ndonjë sëmundje kardiake që ka ndodhur disa ditë më parë, dhe as nuk përmenden arsyet pse Thomas Markle ka hequr dorë nga shoqërimi i vajzës së tij në altar.

Sipas BBC, ai ka marrë këtë vendim në sajë të figurës së keqe që bëri me imazhet e shitura ndaj një tabloidi të së bijës e cila po provonte fustanin e nusërisë. Një veprim, me të cilin përfitoi mbi 100 mijë dollarë.

“Unë nuk dua të vë në siklet Meghan”, është shprehur Markle për shtypin meksikan.

Pas tërheqjes së Thomas, tashmë Markle duhet të gjejë atë që do ta shoqërojë në altar për tek Harry.

Në dasmë ish-aktorja amerikane ka ftuar vetëm prindërit e saj, pasi vëllai dhe motra janë në mosmarrëveshje me të dhe vazhdojnë të lëshojnë intervista në të cilat ata flasin keq për princeshën e ardhshme.

Për momentin është vetëm nëna e Meghanit që do ta shoqërojë atë nga hoteli në kështjellë.