Nga G. Daçi

Të kesh një trup të bukur kërkon të ushtrohesh në palestër, e të ushtrohesh në palestër do të thotë të kesh një jetesë të shëndetshme.

Por jo gjithëkush mund të ketë “luksin” kohë, për t’u kujdesur për fizikun, sidomos njerëzit publikë të vendit për shkak të angazhimeve të shumta me të cilën iu mbushet dita.

Por deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Durrësit, Jurgis Çyrbja, duket se krahas axhendës së ngjeshur prej përfshirjes në politikë, ka vendosur prej disa kohësh t’ia besojë shëndetin e tij fizik, instruktorit të njohur të qytetit bregdetar, Ani Dedja.

Pas ndryshimit që pësoi kreut i FSHF- së Armando Duka falë vullnetit të tij dhe profesionalizmit të instruktorit Dedja, ky i fundit përpos personazheve të tjerë publikë në vend, po ushtron në palestrën e tij edhe deputetin e Kuvendit, i cili është bërë pjesë e parlamentit Shqiptar në zgjedhjet e 25 qershorit të vitit 2017.

Ai ndan me ndjekësit e “DurrësLajm” edhe programin e stërvitjes së personalizuar për deputetin Çyrbja.

“Stërvitja e z.Çyrbja bazohet mbi matjet e parametrave të tij dhe udhëhiqet nga strategjia e zhvillimit të shëndetit të tij fizik, psikik, mendor, uljen e streseve të ngarkesave të përditshme. Më konkretisht, ne zbatojmë metodikën e uljes së dhjamit trupor, fuqizimit të sistemit kardiak-respirator-vaskular, rritjes së forcës muskulare të trupit dhe gjymtyrëve, përmirësimit të fleksibilitetit muskular trupor e të gjymtyrëve. Me pak fjalë, stërvitja që unë kam zgjedhur për z.Çyrbja në palestër, i siguron atij jetesën në mënyrë të shëndetshme, të gjatë e pa praninë e sëmundjeve.”

Nisur nga ngjarjet e fundit të cilat kanë trazuar jo pak politikën shqiptare, gjëja më e mirë që mund të bëjë çdo deputet për veten është ushtrimi në palestër për të larguar ngarkesën dhe stresin e akumuluar gjatë ditës.