Një grup prej 80 shkencëtarësh kanë udhëtuar drejt Siberisë për të hetuar efektet e shkrirjes së akullit të përhershëm të Arktikut Lindor. Gjatë këtij udhëtimi, 80 shkencëtarët kanë bërë një zbulin befasues: “Deti po vlon nga poshtë“.

Kjo pamje befasuese shkaktohej nga flluskat e metanit që po vlonin nga poshtë detit. Studiuesit thanë se përqëndrimi i metanit në Detin Siberian ishte midis 6 ose 7 herë më i lartë se mesatarja globale. Daily Mail shkruan se shkencëtarët kishin mbetur të shokuar nga ky zbulim që kishin bërë.

“Ky është burimi më i fuqishëm i gazit që kemi parë ndonjëherë. Askush nuk ka regjistruar më parë diçka të tillë“, tha Igor Semiletor, studiues kryesor nga Universiteti Politeknik Tomsk.

Ky projekt u inicua, pasi studiuesit panë që nivelet e metanit ishin në rritje në të gjithë rajonin. Ekipi i shkencëtarëve vlerësoi se rritjet e përqëndrimit të metanit erdhën nga shkrirja e akujve që ka prekur pjesë të Siberisë, ndërkohë që temperaturat në rajon janë rritur përtej normales.

Në 2017, shkencëtarët rusë hetuan kratere të mëdha në rajonet Arktike të Siberisë, të shkaktuara nga formimi i flluskave të mëdha të metanit nën tokë. Flluskat shpërthejnë duke krijuar kratere të mëdha. Një liqen në Alberta, Kanada ishte aq i pasur me metan, aq sa mbi sipërfaqen e akullit mund të ndizej zjarr, ndërsa poshtë akullit gazi ngriu duke krijuar flluska të ngurta të pezulluara në ujë.