Doriana Ruko është një prej infermiereve shqiptare që ka shkuar në Itali për të ndihmuar në luftën për koronavirusin. 28-vjeçarja, ka treguar se nuk e ka pasur fare të vështirë që ta marrë vendimin për të shkruar në Itali, pasi e dashuronte atë si vend.

“Nuk ishte një zgjedhje e thjeshtë por jo edhe aq e vështirë. Për mua Italia është vendi më i bukur në botë edhe pse jam krenare që jam shqiptare dhe ne shqiptarët jemi kaq krenarë dhe kurajozë. E kam dashur Italinë kur më dha mundësinë të kisha një të ardhme të përshtatshme profesionale dhe e dua edhe më shumë tani që ajo është në vështirësi të mëdha për shkak të koronavirusit. Unë gjeta forcën për këtë zgjedhje nga dashuria për burrin tim Giuseppe, i cili gjithmonë ka qenë forca ime më e madhe, dhe nga familja ime”, tha Doriana.

E lindur në qytetin e Fierit, 28-vjeçarja është diplomuar në Universitetin e Tiranës, por nuk ëshët kursyer që të rrëfejë detaje edhe nga jeta e saj personale. Doriana shprehet se i ati ka shkuar i pari në Itali, si shumë emigrantë të tjerë, duke treguar edhe momentet e vështira që ka kaluar me mamanë dhe 3 motrat e tjera. Më pas ajo tregon edhe eksperiencën e saj të qëndrimit në Itali.

“Babai Namik, si shumë shqiptarë të tjerë në vitet ’90, emigroi në Itali për t’i dhënë të ardhme më të mirë katër vajzave të tij (Armelës dhe binjakeve Fiorela dhe Francesca). U rritëm me nënën Mimoza. Natën kur dëgjonim një zhurmë e vogël jashtë, dridheshim nga frika. Fillimisht kam punuar në Trani, me njerëz të moshuar që më pasuruan shpirtin jo vetëm, por gjithashtu kontribuan në nxitjen e pasionit tim për kuzhinën italiane. Gjeta punë në një azil falë Ritës dhe gjithmonë do t’a falënderoj që më dha mundësinë për të punuar me ta. Kjo situatë globale e urgjencës po na mëson të njohim kufijtë tanë dhe të përballemi me frikën. Sipërmarrësit heqin dorë nga fitimet e tyre, gjyshërit heqin dorë nga dashuria e nipërve të tyre, mjekët rrezikojnë jetën për të shpëtuar atë të të tjerëve. Vendimi për të shkuar në vijën e parë nuk ishte i vështirë pikërisht sepse e dua profesionin tim dhe gjithmonë përpiqem të ndihmoj personat në nevojë. Faleminderit (flet në shqip),”– ka shtuar më tej ajo.