E shtuna e 4 prillit do të duhej të ishte dita më e lumtur për infermierën shqiptare që jeton dhe punon në Itali, Elona Gaxha.

Ajo kishte planifikuar që bashkë me partnerin e saj Jonathan Esposto, të kurorëzonin me martesë dashurinë e tyre, fryt i së cilës është dhe vajza e tyre e vogël Maddalena.

Por fati e deshi që në këtë emergjencë shëndetësore që ka mbërthyer globin, Elona të ishte në krye të detyrës si infermiere në luftë me koronavirusin dhe në mbrojtje të jetës së njerëzve.

Jonathan përmes një postimi emocional në Facebook, ka bërë një dedikim për të gjithë të ftuarit që do të duhej të ishin bashkë me ta në hapjen e një kapitulli të ri për jetën e tyre.

Nuk ka munguar një postim edhe nga agjencia që do të merrej me organizimin e dasmës së tyre, ku premton se festa e tyre do të bëhet së shpejti po aq e bukur sa e kishin planifikuar.

“Sot për ne ishte menduar të ishte fillimi i një sezoni të ri të mrekullueshëm të dasmave … do të ketë një fillim të ri për të gjithë herët a vonë dhe ndërsa presim, vazhdojmë të shpresojmë që të gjitha këto të kalojnë shpejt dhe pastaj po do të përqafohemi shumë fort. Por përqafimi më i madh i shkon “Elona dhe Jonathan dhe princeshës së tyre të vogël Maddalena, dhe ju premtojmë se dasma do të jetë po aq e mrekullueshme sa e kishim planifikuar”.