Gjëja më e shenjtë është familja edhe pse jo të gjithë e kanë pasur fatin të kenë një të tillë!

Qindra jetimë në Shqipëri nuk kanë mundësinë që të jetojnë në vatrën e ngrohtë të familjes, të kenë një baba, një nënë si fëmijët e tjerë. 

Birësimi është një iniciativë e rrallë në vendin tonë, ndërkohë që në botë është e zakonshme. Ndër të më të njohurit janë Angelina Jolie, Madonna etj.

Iconstyle.al liston disa personazhe publikë shqiptarë të cilët vendosën që t'u ofronin këtyre fëmijëve mundësinë e artë: një familje!

Fjodora Fjora, nënë "single"

Kur u raportua se gazetarja dhe moderatorja, Fjodora Fjora, birësoi një fëmijë në tetor të 2014-s, mund të ketë patur shumë paragjykime. E gjithë kjo me idenë e një gruaje të vetme, që zgjedh të rrisë një fëmijë pa një mashkull në krah. Por kjo nuk e ndaloi Fjodorën që t’i tregonte botës, që edhe kështu mundesh.

Megjithëse beqare ajo e birësoi djalin e quajtur Aleto, kur ai ende nuk kishte mbushur 1 vjeç dhe që atëherë jeta e saj ndryshoi.

"Kohët e fundit jam angazhuar në ndihmën e fëmijëve që ndodhen në Shtëpinë e Foshnjës në Tiranë. Gjatë vizitave të mia, mora vendimin të birësoj një fëmijë. Që në momentin e parë kemi krijuar afrimitet të pabesueshëm midis njëri-tjetrit. Duke parë nevojën e madhe për dashuri dhe siguri që ai kërkonte tek unë në mënyrë natyrale kam marrë vendimin më të rëndësishëm në jetën time për ta bërë atë pjesë të jetës sime dhe unë mund të jap më të mirën për t’i siguruar atij një familje ku të gjejë dashuri, ngrohtësi, besim dhe një rritje e edukim sa më të mirë për të. Ky vendim ka qenë mjaft i rëndësishëm për mua dhe në kushtet kur unë jam nënë e vetme, por kam mbështetjen e prindërve të mi, familjarëve të tjerë të cilët janë pjesë e kësaj familje të madhe.  Unë kam të gjitha mundësitë dhe nga ana materiale për ta rritur në mënyrë të shëndetshme atë, për t’i siguruar rritje dhe edukim në interesin e tij më të lartë”, kjo ishte një pjesë nga kërkesa e Fjodorës, e cila u publikua pasi ajo kishte realizuar qëllimin e saj: të bëhej nënë e një djali."

Arben Ristani: Familjen s'e mban gjaku, por dashuria

 

Në janar të 2015-s mediat raportuan se familjes së deputetit demokrat i ishte shtuar një pjesëtar i ri. Tomas 1 vjeç (mosha në atë kohë) i shtoi familjes më shumë dashuri. Ristani me bashkëshorten e tij Alketa kishin rreth një vit të martuar në atë kohë, ndërsa bashkëjetonin për tetë vite. Ata vendosën të birësonin vogëlushin Tomas. Gjithçka u krye sipas deputetit demokrat për t’i dhuruar një vëlla vajzës së tij 20-vjeçare Nensi (mosha në atë kohë).

"Unë kam një vajzë nga martesa e parë, Nensin, e cila mbush 20 vjeç këtë vit. Kam shijuar çdo ditë e muaj të jetës së Nensit duke qenë pranë saj për ta edukuar, për ta mbështetur e për t’i dhënë dashuri. Jam i lumtur se Nensin e shoh të gatshme sot të përballojë sfidat e jetës, e ndaj e pranoj natyrshëm dëshirën e saj për të qenë e pavarur sot. Kemi dashur prej kohësh të bëjmë një vëlla apo motër për Nensin, dhe më në fund vendosëm të birësonim një fëmijë. E vendosëm dhe u ndjemë shumë mirë: jo vetëm se ne do të sillnim një jetë të re, një dashuri të re në shtëpinë tonë, por do t’i jepnim një fëmije mundësinë e një familjeje. Edhe pse i vogël, ai u mësua shumë shpejt me ne. Tani që e kujtoj, çdo gjë ndodhi kaq lehtë e natyrshëm. E pranuam njëri-tjetrin shumë shpejt, dhe kur Tomasi erdhi në shtëpinë tonë, na dukej sikur kishte qenë aty që ditën e parë të jetës", u shpreh në janar të 2015-s gjatë një interviste Ristani.

Deputeti i PD-së u shpreh se me Tomasin ka vërtetuar se familjen nuk e mban gjaku, por dashuria.

Besnik Mustafaj, babai i një vajze mes dy djemve

Në 2015-s u njoftua se Besnik Mustaj, prej kohësh kishte hyrë në procedura për të birësuar një vajzë. Së bashku me bashkëshorten, Donika, ai iu largua në atë periudhë zhurmës së kryeqytetit për të jetuar në fshat, në Priskë. Në disa intervista në media, çifti deklaroi se e ndienin mungesën e një vajze, meqenëse ishin prindër të dy djemve të rritur, por edhe gjyshër të dy djemve. I përkushtuar ndaj familjes, Mustafaj prej kohësh u tërheq nga politika dhe kaloi më shumë kohë me familjen.

Vera Laçi: Rigjeta motivin e jetës

Historia e këngëtares popullore, Vera Laçi, është komentuar dhe shpërndarë shumë në rrjete sociale. Përpara disa vitesh tragjikisht ajo humbi djalin e saj biologjik dhe pikërisht në studion e Rudina Magjistarit tregoi se kishte rigjetur motivin e jetës te birësimi i një vajze me emrin Dea.

Drejtori i Aviacionit Civil birëson 2 fëmijë autikë

Drejtori i Aviacionit Civil, Flamur Çelaj së bashku me stafin e këtij institucioni birësuan më 10 janar të këtij viti 2 fëmijë autikë, të cilët do të marrin trajtim për një vit në një prej qendrave të specializuara në Tiranë.

Ata janë fëmijët e një punonjësi policie dhe të një mësueseje, ndërsa fondet për pagesën e trajtimit u siguruan nga kontributi i punonjësve të Aviacionit Civil.

"Birësimi nënkupton trajtimin për një vit në qendra të specializuara dhe kostot e këtij trajtimi do të mbulohen nga stafi i Aviacionit Civil", tha Çelaj në janar.

Kostoja e birësimit për 1 vit kap vlerën e 6 milion lekëve.