Hëna e plotë që mbrëmjen e sotme ndriçon mbi Durrës ka krijuar një zbaticë të madhe në shëtitoren “Taulantia”.

Siç shihet qartë në pamjet filmike që “DurrësLajm” po publikon më poshtë, deti është tërhequr shumë metra.

Aty ku më parë deti arrinte thellësinë deri në një metër apo edhe më thellë, tani duket veç rëra.

Koha e mirë e këtyre ditëve të fundit ka bërë që deti të jetë shumë i qetë, gjë që ndihmon edhe zbaticën të jetë më e theksuar gjatë mbrëmjes së kësaj të enjteje.

Madje të shumtë ishin edhe qytetarët që shkrepnin foto, për të fiksuar fenomenin e zakonshëm natyror.

Baticat dhe zbaticat lidhen shumë ngushtë me fenomenin e levizjes së ujërave të deteve nën ndikimin e njëkohshëm të Diellit dhe të Hënës. Ndikimi i Hënës në baticat dhe zbaticat, megjithese ajo ka masë shumë të vogël nga Dielli, është rreth dy herë me i madh se ai i Diellit, i cili ndodhet shumë me larg se Hëna. Si rrjedhim i rrotullimit 24-oresh te Tokës, edhe baticat e zbaticat kanë një cikel 24-oresh (me saktë 24 ore e 50 minuta). Por krahas këtij cikli vërehet dhe një cikël 12 orësh.