Një grua në Itali ka fituar plot 5 milionë euro me një biletë lotarie "gërvisht dhe fito" e cila ka kushtuar jo më shumë se 20 euro. Surpriza ka qenë aq e forte për milioneren fatlume, sa ka humbur ndjenjat brenda kinkalerisë në Grosseto, ku kishte blerë biletën.

Pasi ka ardhur në vete, ajo ka festuar fitoren dhe më pas është larguar pa lënë gjurmë, ndërkohë që pronarët e kinkalerisë ruajnë privatësinë mbi identitetin e fitueses.

Edhe pse shumë qytetarë u përpoqën të mësojnë emrin e saj, titullari i kompanisë tha për Ansa-n se, "bëhet fjalë për një kliente që dëshiron të mbetet anonime. Një zonjë që meriton të ketë kaq fat, sepse është një njeri i mire. Atë biletë ia dhashë unë bashkë me të tjerët dhe ia kam shitur me dorën time. Ç'të them? Ishte një emocion i fortë edhe për mua."