Aktori Florjan Binaj ka treguar historinë e propozimit që i bëri bashkëshortes së tij Sadina 15 vite më parë, në një rrëfim tepër të veçantë me partneren në krahë.

Të ftuar të dy në emisionin e Rudinës, Flori dhe Sadina folën për herë të parë për disa detaje që nuk i dinim rreth njohjes në lice apo martesës në gjendjen civile.

Ata u njohën në ambientet e Liceut Artistik, ku Flori i cili ishte në vitin e fundit, ra në dashuri me shikim të parë me Sadinën e cila ishte në vitin e parë, dhe mendonte se ishte e huaj:

“Doja një gjë ndryshe nga lidhjet që kisha pasur dhe kur pashë Sadinën, thashë kjo është. E kisha parë në korridore dhe dallonte. Mendova se ishte e huaj me tiparet nordike dhe pastaj doli që ishte shqiptare dhe madje e kisha në një lagje”.

Përpos Florit, edhe Sadina foli për herë të parë kur pa Florin në lice dhe menjëherë e imagjinoi si një mashkull që do të dëshironte ta kishte në krah:

“Mbaj mend një moment që kam qenë në pjesën e përparme të liceut dhe shikoj Florin që kalon me një telajo të madhe dhe në moment unë ngel dhe shoqet me thanë: çfarë ke? U thashë ‘asgjë’ por vura re tiparet e një mashkulli që unë e imagjinoja në krah”.

Por si ishte momenti i propozimit?

Në atë kohë, bëhet fjalë për vitet 2000, vajzat nuk para dilnin vetëm në takime pa një shoqe dhe në ditën e propozimit, Sadina kishte marrë me vete edhe shoqen e saj në kinema.

“Kemi qenë në kinema dhe Sadina kishte marrë masa mbrojtëse, kishte marrë një shoqe me vete, ishim në kinema dhe mirë që s’na e uli shoqen në mes. Ishim duke parë filmin dhe po prisja momentin për të marrë vëmendjen dhe i bëra pyetjen. Në moment filloi muzika e lartë e filmit që tërhoqi vëmendjen e Sadinës. Unë isha duke pritur nisa numërimin 1, 2 3 dhe ajo tha ‘po”.

Ata u lidhën në 7 prill 2004 dhe çdo datë 7 të muajit i thonë njëri-tjetrit gëzuar. Flori dhe Sadina u fejuan në 2009-n dhe martesën e bënë në gjendje civile me vajzën në krahë, ndërkohë që njerëzit e tjerë merrnin certifikatat.