Beteja e Sinisa Mihajlovic me leuçeminë mori një shtysë të re pasi trajneri i Bolonjës u largua nga spitali “Sant’Orsola”, të mërkurën pas raundit të tretë të kimioterapisë.

Ai është i vendosur të drejtojë stërvitjen ditën e enjte përpara se Bolonja të kthehet në aksion në Serinë A kundër Parma. Bashkëshortja e Mihajlovicit, Arianna, konfirmoi lajmin në rrjetet sociale, duke postuar një seri fotografish me bashkëshortin e saj në momentin që po linin spitalin. Arianna Mihajlovic ka shkruar këtë mesazh: “Gjërat më të bukura nuk janë aty. Po kthehemi në shtëpi.”

Klubi i Bolognas, në faqen e internetit konfirmoi se trajneri serb do të kthehet të punojë me skuadrën të enjten.

“Nesër, Sinisa Mihajlovic do të jetë në Casteldebole për stërvitjen”. Por dje, pasi ka dalë nga spitali, 50-vjeçari nuk ka harruar të bëjë gjestin me tre gishta të çetnikëve serbë. Por ky term, tanimë përçmues, përdoret për të identifikuar serbët nacionalistë të linjës së ashpër dhe disa forca paramilitare të udhëhequra nga krimineli famëkeq, Arkan.

Ky i fundit është i njohur për krimet dhe urrejtjen që kishte ndaj shqiptarëve. Në rininë e tij ai është shquar për deklarata të forta nacionalistë.