LONDER– Katër mijë vjet më parë, një babilonas i lashtë ka shkruar ninullën e kënduar nga një nënë për fëmijën e saj. Mund ta ketë vënë fëmijën në gjumë, por mesazhi i saj nuk është aspak i ëmbël – dhe kjo mbetet një karakteristikë e shumë ninullave të kënduara sot nëpër botë. Të gdhendura thellë në një tabelë argjile, janë fjalët e një prej ninullave më të hershme të njohura, e cila daton rreth vitit 2000 para lindjes së Krishtit.

Shkrimi është kuneiform që do të thotë "në formë kunji" – një nga format e para të shkruarit – dhe duhet të jetë i formuar nga një shkrues babilonas, me majën shkruese të bërë nga kallami, në Irakun e sotëm modern. Më shumë është ninullë “kërcënuese”, në të cilën foshnja qortohet sepse shqetëson shtëpinë e Zotit me të qarën e vet – dhe kërcënohet me pasoja. Temat frikësuese kanë qenë tipike për ninullat e epokës, thotë Richard Dumbrill, ekspert kryesor i muzikës antike në Muzeun britanik në Londër, ku mbahet tabela.

“Ato përpiqen t’i thonë fëmijës që ka bërë shumë zhurmë, ka zgjuar demonin, dhe nëse nuk hesht menjëherë, demoni do ta hajë.” Kjo tingëllon më shumë e frikshme sesa të sjellë gjumin, por del që shumë ninulla – duke përfshirë edhe ato që këndohen sot, të kenë nuanca të errëta.

“Lëkundu, lëkundu, lëkundu,” fillon një ninullë popullore e kënduar nga njerëzit Luo në Kenian Perëndimore, para se të paralajmërojë,”beben që qan e hanë hienat,” – një mundësi reale në disa pjesë të vendit. Ninulla e famshme e Britanisë së Madhe, “Rock-a-bye-Baby” po ashtu përmban rrezik, duke paralajmëruar në mënyrën më të mirë të mundshme që foshnja dhe djepi do të bien nga dega e drurit.

Koha e natës gjithmonë është asociuar me errësirën dhe frikën dhe kjo deri diku mund t’i shpjegojë temat kërcënuese në disa ninulla, thotë Sally Goddard Blythe, autore e një numri librash për zhvillimin fëmijës dhe drejtoreshë e Institutit për Neuro-Psikologji.

Por të gjithë ninullat, dhe ato më të frikshme, kanë origjinën në “dashuri, ëmbëlsi, dhe kujdes”. Shumë ninulla, pavarësisht kuptimit të fjalëve të tyre, posedojnë kualitete relaksuese hipnotike. Të tjerat janë të trishtueshme ose errëta, si një vajtim.

Disa ju “tregojnë historinë e vendit, ose ju thonë se çka duheni apo nuk duheni të bëni në jetë – një lloj i kolumnes me këshilla për foshnja”, tha Zoe Palmer, muzikante e cila është duke punuar në një projekt ninullash në Royal London Hospital. Palmer punon me nënat e reja në spital, si pjesë e grupit të muzikantëve, duke i ndihmuar të mësojnë dhe shpërndajnë ninullat ekzistuese – si dhe të krijojnë të rejat.

Është një komunitet shumë i ndryshëm – me prindër nga Kina, Bangladeshi dhe India, si dhe Italia, Spanja, Franca dhe Evropa Lindore – por ajo ka zbuluar që ninullat janë shumë të ngjashme nëpër kultura.

Kudo që shkon në botë, femrat përdorin tonet e njëjta, mënyrën e njëjtë e të kënduarit për bebet e tyre”, tha ajo. Shumë ninulla janë shumë bazike, vëren ajo, me vetëm disa fjalë që përsëriten përsëri dhe përsëri. Po ashtu, në aspektin ritmik ninullat kanë model të ngjashëm. Zakonisht janë në metër të trefishtë, duke u dhënë “karakteristikën e lëkundjes”, tha Sally Goddard Blythe. Kjo është qetësuese, sepse imiton lëvizjen që foshnja e përjeton në bark derisa lëviz nëna.

Përveç që i ndihmojnë foshnjat të flenë, ninullat mund të shërbejnë edhe për qëllim edukativ.

Këndimi me foshnjën është një mënyrë e natyrshme dhe efektive për t’i ndarë fjalët dhe tingujt e rinj, tha Colwyn Trevarthen, profesor i psikologjisë së fëmijëve në Universitetin e Edinburghut. Për disa dekada, Trevarthen ka studiuar nënat dhe foshnjat ndërveprojnë në muajt e parë. Hulumtimi i tij sugjeron që foshnjat e kanë muzikalitetin e lindur dhe kanë sens të shkëlqyer për ritëm. Madje edhe kur nëna nuk i këndon foshnjës, ajo i flet në një mënyrë muzikale, thotë ai, me notat dhe mbaresat e fjalëve që shkojnë lart dhe poshtë, dhe me një ritëm të qartë. Ai thotë që në veçanti është mahnitëse se sa saktësisht përgjigjet bebja – me gugatje dhe gjeste – shpesh saktësisht në kohë me pulsin dhe strukturën e tingujve të saj. Foshnja dhe nëna koordinohen në ritëm, si muzikantët e jazz-it duke improvizuar. 

Në vitet 1920-të, poeti poet Federico Garcia Lorca, i cili kishte studiuar ninullat spanjolle, ka vënë re “karakterin poetik” dhe “thellësinë e trishtimit” në shumë prej tyre. Një nga ninullat më të njohura tradicionale të Irakut, është në veçanti e trishtueshme, për dhimbjen madhe e të afërmve që mungojnë. Këndohet shpesh në funerale dhe mbaron: Sa dhimbje në zemrën time. Oh biri, im, sa shumë dëshiroj të dëgjoj fjalë nga të dashurit e mi.”

Teoria e Lorcas, me të cilën pajtohen shumë hulumtues sot, ishte që një pjesë e madhe e funksionit të ninullës është ta ndihmojë nënën të vokalizojë shqetësimet dhe brengat e saj. Shkurt, që ata shërbejnë si terapi për nënën.

E dimë që ninullat janë konsideruar të rëndësishme për t’u dokumentuar nga babilonasit para 4.000 vitesh, por edhe sa gjatë do të mbijetojë? Ka shumë faktorë që kërcënojnë vazhdimësinë e traditës së ninullave – prania e pajisjeve për të argëtuar dhe qetësuar një fëmijë që qan dhe mbështetja e shtuar në teknologjinë për komunikim.

Ndoshta zakoni i të kënduarit është pjesë më e vogël e jetës së përditshme në krahasim me më herët, ku gjeneratat e mëhershme pa televizione dhe kompjuterë zakonisht do të uleshin për të kënduar apo rrëfyer tregime së bashku. Sidoqoftë, hulumtimi për ninulla tregon që ata ende zënë vend të rëndësishëm – nga Kenia, në Siri, deri te Maroku dhe në Britani të Madhe.

Arkeomuzikologu Richard Dumbrill dyshon që mund të ketë diçka të brendshme në përvojën e të rriturit të fëmijës çka do të garantojë mbijetesën e ninullave në të ardhmen.

“Ninulla më e vjetër sigurisht është kur gruaja e parë i ka kënduar fëmijës së saj të parë,” tha ai. “Jam shumë i sigurt që ninullat i përkasin natyrës instiktive të amësisë.”

 Reem Kelani, një këngëtare palestineze e lindur në Britani pajtohet. “Është një nga gjërat universale,” tha ajo. “Kudo që këndoj ninulla, kudo që jam në botë, ka gjithmonë njerëz që identifikohen me të. Është si korda e kërthizës dhe kjo është fuqia e jashtëzakonshme e ninullë së gjumit – është e përjetshme”.