Björn Ulvaeus ka zbuluar se grupi i famshëm ABBA do të sjellë këngë të reja për fansat gjatë këtij viti.

Kantautori 76-vjeçar tha për “The Herald Sun” se anëtarët e bandës suedeze janë takuar disa herë në Stokholm për të diskutuar rikthimin e madh.

“Do të nxjerrim këngë të reja këtë vit, kjo është e sigurt. Jemi miq të mirë me njëri-tjetrin dhe u kthyem në studio pas 40 vitesh”, tha Ulvaeus.

Björn Ulvaeus, Benny Andersson, Agnetha Faltskog dhe Anni-Frida Lyndstad janë katërshja që u bë e famshme gjatë viteve ’70-’80 në botën e muzikës. Grupi, që përbëhej nga dy çifte të martuarish, u shpërbë në vitin 1982, në kulmin e tij. Gjithashtu, Bjorn u nda nga Agnetha dhe Benny nga Frida.

Albumi i tyre i fundit doli në treg në vitin 1981, ndërsa këtë vit priten 5 këngë të reja.