Këngëtari August Alsina ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një interviste për “The Breakfast Club”. Ai tha se ka pasur një marrëdhënie me gruan e aktorit të famshëm Will Smith, Jada Pinkett-Smith, duke shtuar se lidhja e çiftit të fashëm ishte e hapur dhe se Will ishte në dijeni të lidhjes jashtëmartesore të të shoqes.

“Unë në fakt u ula me Will dhe bëra një bisedë, ai më dha bekimin e tij”, -u shpreh Alsina gjatë intervistës. Këngëtari tha se ishte njohur me Jada-n në vitin 2015, pasi ishin prezantuar përmes djalit të çiftit Smith, Jaden.

Prej atëherë, August Alsina ka qenë një mik i familjes Smith. Ai madje i ka shoqëruar ata me pushime në Hawaii në vitin 2016. Ndërsa në BET Awards 2017 ai shkoi i shoqëruar me Jada-n.

“Unë e dhashë veten plotësisht në atë marrëdhënie për vite të tëra të jetës sime. E doja vërtet, vërtet, vërtet shumë dhe kam shumë dashuri për të. Unë iu përkushtova. Unë ia dhashë veten time asaj. Aq shumë, sa të mund të vdes tani dhe të jem ok duke e ditur që ia dhurova veten plotësisht dikujt… Disa njerëz nuk e provojnë kurrë këtë gjë në jetë”, -u shpreh ai.

Ai rrëfeu se e përjetoi shumë keq ndarjen nga Jada. “Pothuajse më vrau… jo pothuajse, por më vrau! Më bëri të ndryshoj totalisht si njeri. Më theu! Do të jetë me shumë mundësi gjëja më e vështirë që kam kaluar në jetë.”

August shtoi gjithashtu se e do shumë familjen e Jada-s, njësoj si të ishte familja e tij. Përfaqësuesit e Jada Pinkett-Smith e kanë mohuar vërtetësinë e fjalëve të këngëtarit.