Ngjarje si ato të filmave horror raportohet të ketë ndodhur në Emiratet e Bashkuara Arabe. Një grua është akuzuar se ka therur të dashurin e saj dhe më pas ka gatuar pjesë të trupit të tij duke ua shërbyer punëtorëve.

Gruaja e paidentifikuar, kreu vrasjen në shtëpinë e saj në Al Ain, pasi i dashuri i saj prej shtatë vitesh i tha se po planifikonte të martohej me dikë tjetër në Marok, thonë prokurorët, citojnë mediet ndërkombëtare.

Sipas zyrtarëve, ajo preu trupin e të dashurit dhe përdori një grirës për të copëtuar mbetjet e tij përpara se t'i gatuante dhe t'ua shërbente disa punonjësve pakistanezë që punonin pranë shtëpisë së saj si 'machboos ', gjellë tradicionale me oriz dhe mish.

Policia filloi të kërkonte viktimën pasi u raportua i zhdukur nga vëllai i tij dhe vrasja u zbulua pasi gjetën një dhëmb njeriu në grirësen e mishit.

Pas testit të ADN-së u konfirmua se dhëmbi i përkiste viktimës dhe e dashura e tij u arrestua. Ajo deklaroi se e kishte kryer krimin pa vetëdije dhe se e kishte financuar të dashurin për shumë vite. Ndër të tjera, në rrëfimin e saj shokues, pranoi se i kishte kërkuar ndihmë një miku për copëtimin e trupit.