Ish-mbreti belg, Albert II, ka pranuar se është babai i një gruaje të lindur nga një lidhje jashtëmartesore pasi u detyrua të jepte një kampion ADN-je që rezultoi në përfundim pozitiv.

Ai kishte kundërshtuar pretendimet për atësi të artistes belge, Delfin Bouel, 51 vjec, prej më shumë se një dekade. Ai humbi imunitetin nga përndjekja pasi abdikoi nga froni në 2013 për shkaqe shëndetësore. Avokati i Bouel tha se pranimi nga ana e ish mbretit, është një cçlirim.

Në një deklaratë për shtyp, avokatët e këtij të fundit thonë se ai kishte mësuar rezultatin e testit të ADN dhe konkluzionet shkencore tregonin se ai ishte babai biologjik i zonjës Delfin Bouel. Sipas tyre, 85-vjeçari kishte vendosur të ndalte betejën ligjore që vijonte që nga 2013 dhe se tani ai pranon që Delfine Bouel të bëhet fëmija e tij e katërt.

Vetë Bouel ka pranuar se jeta e saj ka qenë një makth i gjatë për shkak të nevojës për identitet.

Në maj të vitit të kaluar, gjykata e apelit në Bruksel, vendosi që ish mbreti të penalizohej me 5 mijë euro në ditë për refuzimin e bërjes së testit. Zërat sipas të cilëve mbreti kishte një fëmijë të paligjshëm u dëgjuan së pari në 1999 në një biografi të paautorizuar për gruan e tij. Akuzat shkaktuan një skandal të vërtetë dhe i dhanë zë mediave rozë në belgjikë. Vetë Bouel deklaroi se mbreti Albert ishte babai i saj biologjik, për të parën herë, në një intervistë në 2005. Nëna e saj, Baronezha Sibil de selis Longchamps, pretendonte se kish patur një marrëdhënie mes viteve 1966 dhe 1984 kur ai ishte ende princi Albert i Liezhit.