Është  larguar prej më shumë se dy dekadash nga Shqipëria, në një periudhë të vështirë si viti 1997, por e mbron gjithmonë me “fanatizëm” vendin. Ajo ishte vetëm 16 vjeçe kur emigroi jashtë vendit dhe vitet që pasuan i ka kaluar mes Shteteve të Bashkuara dhe Italisë.

Këngëtarja Ermiona Lekbello, ose e njohur ndryshe si ish-Miss Durrësi në emisionin “Rudina” foli për jetën e saj, kujtimet që ajo ka në qytetin e Durrësit si dhe marrëdhënien me vajzën e saj 21 vjeçare, Elisën.

Në lidhje me largimin nga Shqipëria në një moshë aq të re, ajo thotë: “Bëra atë që shumë shqiptarë të tjerë bënë. Nuk pata mundësi të vazhdoja më tej karrierën, por çdo gjë ndodh për një arsye. Unë jam shumë e lumtur me jetën që kam tani, kështu që nuk do të ndërroja asgjë.”

“Në Amerikë jam marrë më shumë me punën si buyer (blerës), në showroom ti zgjedh veshjet që kompania në Amerikë i blen, por ti je personi që i zgjedh për to. Dhe unë këtë gjë bëj në Milano. Unë zgjedh rrobat për kompaninë time në Amerikë. Unë vendos gjërat që do u çoj atyre. Është diçka që më pëlqen, ata kanë besim tek unë dhe jam shumë e kënaqur.”

Vizitat në Shqipëri janë shumë të rralla dhe kur vjen qëndron shumë pak ditë. Njerëzit e parë që takon janë nëna e saj dhe vëllai, të cilët jetojnë në qytetin e Durrësit. Sa herë që vjen në Shqipëri, bashkë me të është dhe vajza e saj.  Ermiona ka realizuar rreth 15 këngë, me të cilat ka marrë pjesë edhe në festivale, por pas ka mbetur vetëm nostalgjia.  

“Kam nostalgji sepse muzika është pjesë e jetës sime, por tani merrem me gjëra të tjera dhe tani është vetëm nostalgjia.”