Ka ngordhur në moshën 12-vjeçare qeni i famshëm në mediat sociale, “Boo the Pomeranian”. Lidhur me këtë lajm ka folur pronari i tij, i cili tha se qeni kishte filluar të shfaqte probleme me zemrën që pasi miku i tij më i mirë, një qen i quajtur Buddy, ngordhi në vitin 2017.

“Ne mendojmë se zemra e tij u shkatërrua kur Buddy na la”, thuhet në profilin e “Facebook”-ut të “Boo the Pomeranian”.

Në rrjetin social “Facebook”, Boo kishte 16 milionë ndjekës. Ai gjithashtu ishte shfaqur në televizion dhe madje është publikuar edhe një libër i titulluar "Boo – Jeta e qenit më të ëmbël në botë".

Boo dhe miku i tij Buddy jetuan së bashku për 11 vite, para se Buddy të ngordhte në shtator të vitit 2017 në moshën 14 vjeçare.

Pronari i tij, tha se qeni ngordhi në gjumë mëngjesin e së shtunës. “Ne gjejmë ngushëllim duke ditur se ai nuk është duke vuajtur më. Ne e dimë se Buddy ishte i pari që e përshëndeti atë në anën tjetër të urës së ylberit”, ka shtuar pronari.