Nëse ju kanë bezdisur kontrollet e shumta në aeroport, bëni mirë të përgatiteni, pasi tashmë do t’ju kërkohet edhe të peshoheni! Pasagjerët së shpejti mund të peshohen para se të udhëtojnë, në një përpjekje për të ulur shpenzimet e karburantit dhe emetimet e karbonit.

Kompania "Fuel Matrix" thuhet se është në bisedime me linjat ajrore në Britani të Madhe, të cilat kryejnë fluturime në distancë të madhe, për vendosjen e "pads presion" që do të peshojnë në mënyrë diskrete pasagjerët ndërsa kalojnë nëpër aeroport.

Këto të dhëna pastaj mund të kalojnë drejtpërsëdrejti në kabinën e fluturimit për tu mundësuar pilotëve që të përcaktojnë pikërisht se sa karburant duhet të ketë aeroplani i tyre.

Kompanitë e fluturimit duhet të llogarisin me kujdes se sa karburant kanë nevojë për fluturimet, pasi sa më e rëndë të jetë ngarkesa, aq më shumë karburant u nevojitet. Sasia e karburantit të përdorur nuk ka lidhje vetëm me shpenzimet, por për faktin se prodhon më shumë emetime të karbonit.

Aktualisht, kompanitë ajrore llogaritin peshën totale të udhëtarëve të saj duke u bazuar tek gjinia, 88 kg për meshkujt, 70 kg për femrat dhe 35 kg për fëmijët. Por "Fuel Matrix" beson se kjo llogaritje bën që linjat ajrore të shpenzojnë më shumë karburant sesa u nevojitet.

Sipas, drejtuesit Nick Brasier, shumica e fluturimeve mbajnë rreth 1 përqind më shumë karburant sesa kanë nevojë dhe djegin rreth 0.3 deri 0.5 përqind më shumë karburant, për shkak të peshës shtesë të karburantit. Por, kjo nuk është hera e parë që kompanitë ajrore propozojnë idenë e peshimit të pasagjerëve, për të reduktuar shpenzimet e karburanit.