Nga Gertjana Daçi

Koronavirusi udhëtoi nga Kina e largët dhe u ul këmbëkryq në Europë dhe Ballkan, duke izoluar qindra miliona njerëz në kontinentin e vjetër.

Pranverën që aq shumë e duam, e nisëm në karantinë paçka se çfarë kishim planifikuar më herët.

Dikush kishte prenotuar pushime, dikush tjetër kishte ideuar në detaje festën e ditëlindjes, ndërsa të dashuruarit kishin vendosur t’i thonin “PO” përjetësisht njëri-tjetrit.

Pikërisht për këta të fundit do të flasin në këtë artikull, pasi ashtu si në shumë fusha, koronavirusi ka ndikuar edhe në organizimin e dasmave në Durrës dhe jo vetëm.

Prej javësh, gjendja civile e qytetit qëndron e mbyllur dhe rrjedhimisht celebrime nuk ka patur këtë periudhë.

Burime zyrtare thonë për “DurrësLajm” se dyert e kësaj zyre mund të hapen të hënën e 6 prillit dhe të rinisë veprimtaria.

Por pavarësisht kësaj, festa e madhe e dasmës me shumë të ftuar do të vazhdojë të mbetet ëndërr në sirtar për një kohë të pacaktuar.

“Situata e koronavirusit ashtu si çdo biznes ka prekur edhe industrinë tonë të dasmave dhe eventeve. Volumin e punës e kemi kryesisht në verë dhe për rrjedhojë pandemia na ka pezulluar”, thotë drejtuesi i kompanisë së njohur në Durrës, “Endri EVENT”, Endri Karaboja i cili prej vitit 2018 me dekorin magjik realizon ëndrrën e kujtdo që i ka besuar ditën më të lumtur.

Endri thotë se për shkak të situatës emergjente në vend prej COVID-19, çiftet durrsake që kishin përzgjedhur datat e muajve të pranverës për ditën më të rëndësishme të jetës janë detyruar ta shtyjnë në një moment tjetër, por jo ta anulojnë.

“Deri më tani nuk kemi asnjë anulim në sektorin e dasmave, ato që kishim planifikuar në mars momentalisht janë shtyrë për në muajin qershor, mund t’i lemë ndoshta edhe për në shtator, në varësi të situatës. Eventet të cilat nuk kishim asnjë mundësi për t’i shtyrë janë ditëlindjet duke qenë datë e veçantë. Këtë vit kishim 3 çifte që do t’u organizonim ceremoninë e fejesës. Për ne ishte event tepër i veçantë pasi bëhej fjalë për tre shokë, shqiptarë të Kosovës që jetonin në Zvicër, të cilët do të shkëmbenin unazat me partneret zviceriane në bregdetin e Durrësit. Kishim planifikuar çdo gjë deri në detaje, por për shkak të koronavirusit ato e anuluan, sepse nuk kishin mundësi t’i shtynin.”, rrëfen Karaboja.

Por çfarë do të ndodhë me eventet e planifikuara në verë?

Endri thotë se do të veprohet ashtu siç bëhet çdo vit; para se të afrohet data e dasmës, komunikohet sërish me çiftet për një sërë elementësh që janë të rëndësishme për organizimin e dasmës si psh: lloji i lules, karrikeve, altari etj etj.

“Jam tepër i gëzuar pasi të gjithë çiftet janë optimist, se kjo gjendje do të kalojë dhe do mund të kurorëzojnë dasmën në ditën që kanë planifikuar. Thirrja që do bëja unë për çdo çift do të ishte të harrojnë koronavirusin, të ëndërrojnë dasmën e dëshiruar dhe të ndajnë mendimet e tyre me organizuesin e dasmës sikur asgjë nuk ka ndodhur”,- thotë organizatori i eventeve.

Por ndryshe nga Endri, pronarët e lokaleve në Durrës nuk shfaqen aq optimistë përsa i përket prenotimeve të dasmave në verë, pasi sipas tyre mbeten ende shumë pikëpyetje. Distancimi social që mund të vazhdojë të jetë në fuqi edhe pasi të mbarojë karantina, mund të penalizojë grumbullimet e njerëzve.

Shumëkush prej nesh, kishte planifikuar diçka të rëndësishmë këtë vit nisur edhe nga veçantia e numrave të 2020-ës, i cili duhet thënë se në tre muajt e parë rezultoi krejt ndryshe nga si e prisnim!