Pak javë para se të vriste veten, Caroline Flack shkroi një letër që s’e publikoi dot ku tha se “e ardhmja iu shkatërrua” ngaqë akuzohej se dhunoi të dashurin e saj. Ish moderatorja e “Love Island,” që humbi jetën në moshën 40-vjeçare, do të dilte para drejtësisë në mars. Ajo akuzohej për sulm fizik, por sipas saj bëhej fjalë për një incident.

Në letrën që publikoi sot familja e saj, Flack shkruan se “e pranon fajin për çfarë ndodhi atë natë,” por insiston se “nuk është e dhunshme.”

Moderatorja, e cila u pushua nga puna në “Love Island”, foli edhe për problemet me veten dhe presionin e të qenit personazh publik. “Ma kanë marrë të vërtetën nga duart dhe e kanë përdorur për të bërë lajm,” shkruan ajo.

Caroline Flack do të gjykohej pas një muaji. Ajo u deklarua e pafajshme kundrejt akuzave se kishte dhunuar të dashurin e saj, Lewis Burton. Në një seancë në dhjetor, në gjykatë u tha se 27-vjeçari Burton u lëndua keqazi në kokë dhe telefonoi ambulancën. Burton, që është zemërthyer nga vdekja e Caroline, i kishte thënë policisë dhe prokurorëve se donte ta tërhiqte denoncimin ndaj saj.

Në letrën e publikuar së fundi, Flack shkruan për momentin e arrestimit më 12 dhjetor: “Brenda 24 orësh më ra qielli mbi kokë, m’u shkatërrua e ardhmja. Gjithë muret që kisha ndërtuar rreth vetes, u shembën. Papritur u gjenda në një tjetër lloj skene dhe të gjithë po më shihnin. E kam pranuar fajin për çfarë ndodhi atë natë. E pranova kur ndodhi. Por e vërteta është se bëhet fjalë për një aksident. Patëm një zënkë dhe ndodhi një aksident. Një aksident.”

Flack gjithashtu u kërkoi falje të afërmve duke shkruajtur: “I kërkoj falje familjes për dhimbjen që u kam shkaktuar dhe miqve, për çfarë u është dashur të kalojnë. Nuk mendoj për të ardhmen e karrierës sime, mendoj për familjen.”