Pas disa muajsh negociata, Madonna ka nënshkruar të martën një marrëveshje për të performuar në finalen e Eurovision, që do mbahet më 18 maj.

Këngëtarja arriti në Izrael pasditen e së martës dhe pati përplasje me The European Broadcasting Union, por më në fund ranë dakord.

“Tani është zyrtare. Pas disa ditëve të tensionuara, kontrata mes Madonnës dhe producentëve të Eurovision është nënshkruar sot”, kanë njoftuar nga transmetuesi publik izraelit, KAN.

Sipas Jerusalem Post, Madonna do të performojë dy këngë mbrëmjen e së shtunës, një nga albumi i saj i ri Madame X dhe një këngë të vjetër si “Like a Prayer” e vitit 1989.

Në konkursin e Eurovision marrin pjesë këngëtarë nga më shumë se 40 vende, por në finale do arrijnë vetëm 26 këngë, mes të cilave u kualifikua edhe Shqipëria.