I tradhtuar dhe i braktisur nga e shoqja, biznesmeni Keith King ka kërkuar dëmshpërblim nga dashnori i gruas, duke iu referuar një ligji të vjetër të Karolinës së veriut.

Pas një gjyqi që ka vazhduar prej muajsh, gjyqtari Orlando Hudson i ka dhënë të drejtë biznesmenit dhe ka vendosur që i padituri Francisco Huizar t’i japë biznesmenit 8.8 milion dollarë.

Ligji në fjalë i jep mundësi bashkëshortit të braktisur dhe të tradhëtuar që të kërkojë dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar.

Danielle dhe Keith King u martuan në vitin 2010 dhe 3 vite më vonë u lindi një vajzë. Huizar është njohur me çiftin në vitin 2015, kur ata ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në një shfaqje motorësh.

Në gjyq, Danielle ka deklaruar se martesa mes të dyve ishte në krizë që para se të njihej me Francisco-n.

Por sipas biznesmenit, ata do t’ia kishin dalë të kalonin krizën, nëse Huizar nuk do të kishte bërë gjithçka që të ruante lidhjen me Danielle. Mësohet se dashnori ishte transferuar nga Teksasi në Karolinën e veriut dhe kishte marrë shtëpi me qira pranë asaj të çiftit. Ndërkohë që i ndiqte nga pas sa herë ata shkonin me pushime.

Në një rast të ngjashëm, një grua e tradhtuar çoi në gjyq bashkëshorten e re të ish-burrit të saj dhe arriti t’i merrte 30 milionë dollarë.