Roopkund, një liqen i largët i lartë në Himalajet Indiane, është shtëpia e një prej mistereve më të mëdha të arkeologjisë: skeleteve të rreth 800 njerëzve. Një studim i botuar në Nature Communications përpiqet të zbulojë atë që ndodhi në “Liqenin e Skeletit” – por rezultatet ngrenë më shumë pyetje sesa përgjigje.

Analizat e ADN-së të kryera në fillim-vitet 2000 kishin sugjeruar se të vdekurit ishin nga Azia e Jugut, rreth vitit 800 të erës sonë. Shenjat tregonin se të gjithë kishin vdekur në të njëjtën kohë.

Por analiza më të plota të kryera kohët e fundit, kanë treguar se 23 prej skeleteve kanë vdekur në një tjetër periudhë, midis shekullit VII dhe X, ndërsa 14 të tjerë kanë vdekur 1000 vite më vonë, po ashtu në të njëjtën ditë.

Dhe ndryshe nga të tjerët, grupi i fundit e ka origjinën nga Mesdheu, nga Greqia dhe Kreta, më saktësisht. Në të njëjtën ditë me këta ka vdekur edhe një person me origjinë nga Azia lindore.

Pyetja që ngrihet është: Pse ishte një grup mesdhetar në Roopkund dhe si vdiqën ata? Studiuesit nuk e dinë dhe nuk po spekulojnë.

“Ne kemi provuar t’u përgjigjemi të gjitha burimeve të mundshme të prejardhjeve gjenetike të skeleteve të Roopkund, por nuk kemi arritur të përgjigjemi pse njerëzit mesdhetarë po udhëtonin në këtë liqen dhe çfarë po bënin këtu,” shkruan bashkëautori i studimit Niraj Rai, një arkeogjenezist në Instituti i Paleeoshkencave Birbal Sahni në Lucknoë, Indi.

Skeletet janë të të dy gjinive, dhe në to nuk është gjetur asnjë shenjë dhune luftarake, as armë rrethe  rrotull. Veç kësaj, gjendja e tyre shëndetësore ka qenë e mirë, sipas analizave të ADN-së, ndaj kjo përjashton edhe mundësinë e ndonjë epidemie në masë.