Në ditën e dashurisë, në emisionin “Rudina” ka qenë i ftuar një çift shumë i veçantë për të folur për dashurinë. Modelja shqiptare, Ilda Kroni, e cila jeton në Indi, prej disa kohësh është në një lidhje dashurie me aktorin indian Ashish Kapoor, i njohur si Kabiri në serialin Sarasvatiçandra, i cili është transmetuar dhe në vendin tonë.

Për të rrëfyer më shumë për historinë e tyre ata ishin të ftuar në një lidhje me Skype, nga ku zbuluan shumë detaje nga jeta private: “Ne jemi njohur në një event, rastësisht. Unë nuk e njihja Ashishin, pasi nuk shoh telenovela. Ishim të ftuar të dy në event dhe Ashish filloi të më gjuajë dhe të hidhte kunja. Aty filluam të flasim, më pas në Instagram dhe pastaj filluam të takoheshim pak nga pak”,- tha Kroni.

Duke rrëfyer për detajet që ia vunë re njëri-tjetrit qysh në takimet e para, Ashish tha se tek Ilda e ka tërhequr buzëqeshja dhe mënyra se si i trajton të tjerët.

“Gjëja e parë që më tërhoqi tek Ilda ka qenë buzëqeshja. Përmes buzëqeshjes, mund të shohësh shpirtin e saj dhe mund të them se është shpirt i bukur.

Por nëse më parë shihja buzëqeshjen, sytë, etj, tashmë gjërat kanë ndryshuar, e njoh më mirë dhe shikoj se si i trajton njerëzit me dashuri”,- tha aktori për partneren e tij.