Këto pamje tregojnë momentin e tmerrshëm kur avionë të ndryshëm u përballën me erëra të forta prej 144 km/h, ndërkohë që përpiqeshin të uleshin në aeroportet nëpër Europë.

Në një video shihet momenti kur një avion lëkundet nga njëra anë në tjetrën, ndërkohë që zbret në pistën e aeroportit të Schipol, në Amsterdam, gjatë ditës së enjte.

Pavarësisht vështirësive të dukshme, piloti ia doli që ta ulte avionin, duke përdorur një teknikë të posaçme për rastet kur ka erëra të fuqishme.

Sipas të përditshmes “The Sun”, në avionin që udhëtonte nga ishulli gjerman Sylt, ndodheshin rreth 80 persona. Videoja, sëbashku me disa të tjera u postuan në YouTube nga Cargospotter.

Dy video të tjera tregojnë avionë të cilët heqin dorë nga zbritja.

Një avion i vogël shfaqet pak metra larg pistës, përpara se të ngjitet sërish në qiell. Ndërsa një tjetër avion e prek pistën, por për shkak të erërave të forta krahët e tij dridhen me një forcë të jashtëzakonshme, ndaj piloti vendos që të mos ulet.

Stuhia, e quajtur Friederike, u ka marrë jetën të paktën 12 personave nëpër Europë dhe paralizoi transportin publik në disa pjesë të Gjermanisë, Holandës dhe Belgjikës gjatë ditës së djeshme.