Anila Hoxha, gazetarja e ngjarjeve të kronikës së zezë në “Top Channel” u vlerësua nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë me një çmim të rëndësishëm. Ajo u nderua me çmimin “Raportimi më i mirë i vitit 2018”.

Për të folur mbi këtë vlerësim, ajo ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit në “Top Channel”, në ‘Wake up’, ku u ndal edhe për vështirësitë që ka ndeshur dhe ka kaluar gjatë përvojës së saj në ngjarjet më të bujshme e tragjike që ka raportuar ndër vite.

Ajo kujton si ngjarjen më të rëndë tragjedinë e 9 janarit në 2004-n, kur humbën jetën 28 persona.

“Në atë kohë punoja në Alsat. Mbaj mend që kur po raportoja nuk më dilnin dot fjalët, nuk artikuloja dot. Por, këto duhet t’i tejkalosh sepse je aty për të treguar se çfarë po ndodh”, u shpreh Anila.

Po ashtu, ajo rendit si një ngjarje që ka lënë gjurmë te ajo edhe tragjedinë e Himarës më 21 maj 2012, kur nga rrëzimi i një autobusi humbën jetën 13 të rinj, 11 prej tyre studentë të universitetit të Elbasanit.

Ajo rrëfen telefonatën me babain, pasi një ditë më pas rastiste që ajo të festonte ditëlindjen.

“Prindërit e mi doni të më bënin surprizë. Më telefonon babai dhe më thotë ‘mora vesh që është bërë hataja, mos hajde në shtëpi”, u shpreh gazetarja, duke theksuar se prindërit e saj bëhen gjithnjë merak si ditën e parë kur është bërë pjesë e këtij profesioni, por ndonjëherë thotë ajo duhet të thuash edhe gënjeshtra të bardha.