Moti i paqëndrueshëm i ditës së sotme nuk favorizoi adhuruesit e detit dhe banjove të diellit, por rezultoi shumë i favorshëm për të apasionuarit e sporteve ujore.

Era që ka përfshirë përgjatë të enjtes gjirin e Durrësit dhe deti me dallgë, duket se është perfekt për sërfistët, që nuk e kanë lënë pa u shpëtuar ky rast. 

Pasditen e sotme, të patrazuar në detin që e kishin të gjithin për vete, dy sërfistë po ushtroheshin në det, para shëtitores “Taulantia”.

Megjithëse një sport ujor që shumë prej nesh e njohin përmes filmave të Hollivudit, sërfi ka fituar në Durrës zemrën e atyre që preferojnë sfidat ekstreme.

Sa herë prishet moti, ata nxitojnë drejt bregut të detit për të ushtruar pasionin e tyre.