Është ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare Stan Lee, krijuesi i personazheve të paharrueshëm që magjepsën të gjithë botën, si Spider-Man, X-Men, Iron Man, Black Panther dhe Fantastic Four.

Lajmin e vdekjes e dha vajza e tij, e cila nuk bëri të ditura rrethanat, por sipas mediave amerikane, një ambulancë mbërriti në shtëpinë e tij të hënën herët në mëngjes, ku më pas ai u shua në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai.

Stanley Martin Lieber kishte lindur në një familje hebreje, emigrantë të ardhur nga Rumania në New York. Fansa nga mbarë bota por edhe aktorë të ndryshëm që kanë interpretuar personazhet e tij më të famshëm i kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimin për kontributin që i dha kinematografisë amerikane dhe asaj botërore.