Këngëtari i njohur Chris Trousdale është ndarë nga jeta në moshën 34 vjeçare. Lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta para kohe të ish-anëtarit të grupit Dream Street u njoftua nga menaxherja e tij.

“Me trishtim njoftojmë ndarjen nga jeta të Chris Trousdale më 2 qershor nga një sëmundje,”– tha Amanda Stephan në një deklaratë. “Ai do i mungojë familjes, miqve dhe fansave në gjithë botën.”

Trousdale ishte vetëm 8 vjeç, kur filloi të performojë në Broadway në produksione si “Les Misérables” dhe “Sound of Music”. Ai ishte anëtar i grupit amerikan të djemve Dream Street, të cilit iu bashkua në vitin 1999 dhe interpretoi me të derisa u shpërnda në 2002.

Gjatë kohës që punonte me grupin, ata bënë turne me artistë të mëdhenj si Britney Spears dhe Aaron Carter. Dy këngët më të njohura të grupit janë “It Happens Every Time” dhe “I Say Yeah”.