Një nënë u trondit kur po ndërronte pelenën e djalit të saj, pasi zbuloi se ai ishte bërë synet.

Sipas “BBC”-së, gruaja nga Notttingham, Britani, tha se kishte hapur pelenën e të birit dhe e kishte gjetur të mbuluar në gjak. “Hapa pelenën dhe e gjeta veten duke u larguar nga dhoma sepse u ndjeva histerike”, tha nëna, e cila nuk dëshiroi që ta bënte publik emrin.

Prej katër vitesh, nëna ka nisur një betejë në mënyrë që autoritetet të veprojnë për këtë ngjarje.

Djali u bë synet në korrik të 2013-s kur ishte 3 muajsh dhe po qëndronte me gjyshërit e tij, të cilët janë myslimanë.

Pas hetimeve, autoritetet vlerësuan se nuk ishte një çështje kriminale dhe rasti u referua në Këshillin e Përgjithshëm Mjekësor.

Por nëna nuk u ndal; përmes një avokateje arriti që ta rihapte çështjen që çoi në arrestimin e tre personave: doktorit dhe dy gjyshërve nga babai i djalit. Pas arrestimit, të tre këta persona janë lënë në liri të kushtëzuar, deri në përfundim të hetimeve.