Një histori e pabesueshme. Një grua italiane ka sjellë në jetë në moshën 62-vjeçare një vajzë dhe fekondimin e ka realizuar në Shqipëri. Nëna ka lindur një vajzë të shëndetshme, 3 kg e 200 gramë dhe të dyja gëzojnë shëndet të plotë.

Mediet italiane raportojnë se gruaja i është drejtuar një strukture shqiptare për implantimin e embrionit, sepse e ka kaluar limitin e moshës parashikuar në vendin e saj.

Nëna e re, me profesion infermiere, ka “adoptuar” embrionet e një çifti, i cili ishte nënshtruar më parë procedurave të tilla. Bëhet fjalë për një praktikë që në Itali është e ndaluar, por përdoret në vende të tjera europiane, përfshirë Shqipërinë.

Edhe sikur të kishte qenë 12 vjet më e re, gruaja e sapo bërë nënë duke qenë beqare, nuk do mund ta realizonte një gjë të tillë në vendin e saj, sepse ligji e përcakton mirë që duhet të jenë çift.

Në një intervistë dhënë për “Messaggero”-n, gruaja rrëfen se kishte pritur për vite burrin e duhur e më pas e kishte ndarë mendjen për t’u bërë nënë me çdo kusht. Kur e pyesin se ajo mund të jetë fare mirë gjyshja e së bijës dhe se nuk do ta lejojë mosha që ta gëzojë vajzën teksa rritet, ajo jep këtë përgjigje:

“Më mjafton që kjo vajzë të shkojë 18 vjeç ndërkohë që unë jam ende në jetë, më pas ajo mund të ecë vetë në jetë, pasi fëmijët duhet të jenë të pavarur”.