Kushdo që humb papritur nuhatjen, mund të jetë “bartës i fshehur” i koronavirusit, edhe nëse nuk ka asnjë simptomë. Ky është rezultati në të cilin kanë mbërritur ekspertët rinologë në Britaninë e Madhe.

Në Korenë e Jugut, Kinë dhe Itali, një e treta e pacientëve që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, kanë deklaruar se kanë pasur humbje të nuhatjes, bëjnë të ditur ekspertët e hundës, veshëve dhe fytit në Mbretërinë e Bashkuar, raporton Business Insider.

Ekspertët janë shprehur se shumë pacientë nëpër botë që janë të infektuar me koronavirus kanë shfaqur vetëm këtë lloj simptome dhe jo ato tipiket si temperatura e lartë, kolla apo vështirësia në frymëmarrje. Rastet me tilla “simptoma të fshehura” janë rritur ndjeshëm edhe në Iran, SHBA, Italinë Veriore dhe Francë.

“Në Korenë e Jugut, ku testimet janë bërë në masë, 30% e pacientëve që rezultuan pozitivë kanë patur problemin kryesor humbjen e nuhatjes/shijimit”, – thotë presidentja e Shoqatës Britanike të Rinologëve, profesoresha Clare Hopkins. 

Sipas ekspertëve, humbja e nuhatjes apo shijimit mendohet të jetë simptomë e fshehur e Covid-19. Ajo vihet re sidomos tek të rinjtë, të cilët, edhe pse bartës të virusit, e kalojnë shumë më lehtë, madje pa e kuptuar, duke vënë në rrezik persona me imunitet më të ulët.