Majk Tajson është gati që të rikthehet në ring. Boksieri amerikan, pas tërheqjes në vitin 2005, ka vendosur që të rikthehet në formë dhe ka lajmëruar dëshirën për t’u ndeshur për bamirësi.

“Njeriu i hekurt”, siç njihet ndryshe Tajson, i ka treguar së fundi botës një fizik të skulpturuar me muskuj, siç dallohet nga videot e shumta që ka nisur të shpërndajë dhe mbi të gjitha ka rikonfirmuar se nuk ka harruar aspak se si lëshohen grushtet e frikshme.

Por, ndërsa të gjithë fansat e tij dhe të boksit presin që ta rishohin në aksion, e përditshmja “New York Times” ka bërë një panoramë të mënyrës se si Majk Tajson i ka investuar 400 milionë dollarët pasuri që mendohej se i kishte fituar nga karriera në ring, ndonëse sot pasuria e tij në prona të patundshme dhe investime të tjera kap shifrën e 2 miliardë dollarëve.

Gjithsesi, edhe pse me prona dhe luks 53-vjeçari nuk mund të ankohet, ajo që bën shumë habi është mënyra se si Majk Tajson ka djegur një pjesë të madhe të pasurisë së tij, me disa shpenzime që është pak t’i quash të çmendura.Mes “investimeve” më të pabesueshme, gazeta amerikane kujton blerjen e tre tigrave, me vlerë 232 mijë dollarë secili.

Por, kjo shifër duket shumë e vogël krahasuar me 14 mijë e 500 dollarët në muaj që u kushtojnë xhepave të tij vetëm për ushqyerjen e tyre. Tjetër shpenzim është blerja e një pallati të tërë në Konektikat, me 21 dhoma gjumi, 24 banjo, 1 diskotekë personale, por mbi të gjitha edhe me një vaskë prej floriri me vlerë 2 milionë dollarë, të cilën ia ka dhuruar aktores Robins Givens, bashkëshortes së tij të parë.

Në të njëjtën kohë, Tajson ka shpenzuar shifra të çmendura për koleksionimin e 111 makinave, mes të cilave Lamborxhini, Ferrari, Rolls Rojs, Mercedes-Benz dhe një Bentli Kontinental SC, të një prodhimi të limituar, me vlerë prej 500 mijë dollarësh.

Por, lista e gjatë e shpenzimeve nuk mbaron këtu, sepse ajo përmban edhe shifra të tjera të çmendura si për shembull 19 makina e motorë për miqtë e tij më të ngushtë, ashtu sikurse fatura prej 300 mijë dollarësh për mirëmbajtjen e kopshtit të tij.

Por, ka edhe më shumë se kaq, si për shembull një faturë tjetër prej 230 mijë dollarësh e shpenzuar për telefona celularë dhe GPS për të ndjekur bashkëshortet, por edhe të dashurat, përveç 340 mijë dollarëve të shpenzuara për argjendari personale, vetëm në një muaj.

Për të mos folur këtu pastaj për shtëpitë e tij në Merilend, në Las Vegas dhe në Ohajo, brenda të cilave ekzistojnë mobilie prej ari dhe një stadium basketbolli në miniaturë.

Të gjitha këto çmendurira të Majk Tajsonit bënë që në gushtin e vitit 2003, ai të deklaronte falimentin nëpërmjet Gjykatës së Manhatanit, madje duke akuzuar se për vite është mashtruar nga menaxheri i tij, Don King, pas 4 viteve që kaloi në burg (1991-1995), si rrjedhojë e përdhunimit të Desire Uashington.

“Si luftëtar profesionist që u besonte të tjerëve për t’u marrë me bizneset e tij, kam zbuluar se shumë prej borxheve që ai ka, kalojnë me shifra kolosale të gjitha shpenzimet e bëra dhe të mirat materiale që ka. Tani, Majk Tajson ka vendosur që të marrë iniciativën për të vënë gjithçka në rregull, duke nisur edhe nga çështjet e tij financiare”, u shpreh një prej avokatëve të tij në atë periudhë, Debra Grasgrin.