Një copëz interesante historie për Durrësin në vitet 1930...

28/05/2019 - 08:40

Gazetari i mirënjohur durrsak Thoma Qendro sjell një copëz interesante historie për Durrësin në vitet 1930.

Ku dhe kur filloi tё frekuentohej pёr herё tё parё plazhi nё Shqipёri? Si dhe pse u zgjodh Durrёsi? Natyrisht, jo plazhi i madh i sotёm. Ata qё janё kureshtarё, le tё lexojnё reportazhin e mёposhtёm, tё cilin e kam riprodhuar tekstualisht nga numri i parё i revistёs “Minerva”, gusht 1932. Nuk ёshtё pa interes.

Nё banjat e Durrёsit

Z. Niko Lezo ëndërron, ndofta, të quhet një ditë themelonjës i Kryeqytetit veror të Shqipërisё. Po e drejta është se z. Niko Leso në këtë çështje nuk ka veçse një meritë e një sukses: i parashikoi punët dhe para tre vjetëve, ngrehu barakën e parë e të vetme në zallishten e Shkëmbit të Kavajës, në vendin ku, duke pasur këmbën e mbarë ay, janë ngrehur sot nja njëqind e ca baraka, e ku një ditë do të shohim pa dyshim kryeqytetin veror e luksoz të Shqipërisë. 
Themelonjësi i vërtetë i këtij kryeqyteti veror të sotëm e t’ardhëm është, siç thuhet, i mirënjohuri z. Gjeneral de Ghilardi. Istorija është kjo: kërkohej një vend, buzëdeti, ku Mbreti i ynë të shkonte nja dy muaj të verës duke bërë banja. Zgjedhja e të ngarkuarve me këtë punë i ra limanit të quajtur Porto Romano, në Durrës. Gjeneral de Ghilardi s’e pëlqeu. atë vend. Syt e tij t'ushtarit, të mësuar të zgjedhin vendet që i kanë të gjitha cilësitë, kishin rënë mbi zallishten e Shkëmbit të Kavajës. Dielli, ajri, deti, rrëri, mjetet e komunikatës ...... të gjitha këto ishin më të përshtatshme atje për një zallishte mbretnore. Gjenerali, pra, nuk mjaftoi të sugjerojë idenë, po dhe luftoi për të, nguli këmbë që të bëhej atje zallishteja mbretnore dhe e fitoi davanë. 
Eksperienca e tregoi se gjenerali kish shumë të drejtë. Një vend kaq i përshtatshëm. Jo vetëm për plazh po edhe për një kryeqytet veror, nuk ishte kurrë Porto Romanua. Dhe ja sepse: një fjalë popullore thotë se po të duash të kesh hair nga bota të rrish o afër detit o afër Mbretit. Mirë po zallishteja e sotme i ka të dyja bashkë të dy të mirat dhe kështu mbushet vjet për vjet me baraka të re, kurse në Porto Romano s’kish posibilitet që të ngriheshin kaq baraka e sidomos banja të përgjithshme bashkiake. Pra, shqiptarët që do të kërkonin të jenë vetëm afër detit do t’ishin fare të pakët e zallishteja e sotme e Shkëmbit të Kavajës nuk do të kish lulëzimin që ka sot. Kështu, do të kishim mbase plazhe, po jo një kryeqytet veror. A s’ësht e drejtë, pra, që gjeneral de Ghilardi të quhet themelonjësi i Kryeqytetit veror tonë?... Dhe a-nuk ësht e drejtë që ky Kryeqytet i cili në t’ardhmen do të jetë shumë luksoz sikundër na paralajmojnë shenjat, të quhet qyteti Ghilardi ?

Qetësi e madhe, diell e qiell boll, ajr i freskët, një jetë krejt shëndetësore, sa do që me shumë pak komoditet ...... Ja ç’është zallishteja popullore e Shkëmbit të Kavajës. Në vend të dëfrimeve, që të lodhin nevrat, të plazheve evropjane, ne kemi thuajse një jetë shqiptare të qetësisë në të vetmin plazh tonë. Një jetë familjare që nuk e kapërcen kufinë e intimitetit shtëpiak dhe atë të marrëdhënieve miqësore. Traditat shqiptare nuk vuajnë as pak. Secila familje brenda e përpara barakës së saj shijon përkdheljet e ajrit e të ujit, në qetësi e sekuritet të plotë. Fër veç disa të rriturve keq, me edukatë jo shqiptare po kosmopolite e libertine, njerëzia venë e vijnë dhe shëtisin ose lahen pa shikuar rreth e rrotull, pa i kthyer sytë nga barakat e të tjerëve. Dhe jeta shkon me ëmbëlsi, pa shqetësime e pa turbullim. Vizitat miqësore, këndimi ose një punë dore mbushin kohët që teprojnë.

Por kjo jetë e qetë, plot shëndet fizik e moral, është privilegji i grave, i fëmive dhe i pak të lumturve që s’ua bren zemrën ndonjë pasion i mshehët apo i shfaqur. Ka edhe njerëz që s’kanë ngrehur barakë dhe s’rrinë natë e ditë në zallishte veçse për të shkuar një jetë shqetësimi. Ky fat i keq i tyre, të cilën e meritojnë, rrjedh nga shkaku se vendin që natyra e ka krijuar për zallishte ata kanë dashur t’a bëjnë vend gjuetie politike ku që në mëngjes fillojnë të shikojnë se kush shkon e kush nuk shkon në Banjat Mbretnore.
Dhe kur shkon ndonjë i afërm i Mbretit, e përshëndesin me respekt të madh, në dukje, pse janë të mendimit se fushata e zgjedhjeve t’afërme parlamentare bëhet më mirë në zallishte se sa në Tiranë. Skllevë t’ambisionit të tyre, këta nuk dijnë se ç’do me thënë të gëzojnë jetën dhe natyrën, nuk dinë sidomos se e mira e së mirave, në ka të mira, është prëhja e shpirtit e të trupit nën një qiell të kaltër shqiptar e «plot me yje» siç thotë vjershëtori.

Jeta e banjës është mjaft e mirë edhe në banjat e përgjithshme të Bashkisë, të drejtuara prej Rexhep .... beut, si ç’u pёlqen klientëve t’a thërrasin. Po për veç të dielave! Të dielat është një farë kijameti atje: shumicë e madhe e potere, vërtetë gazmore, por thuaj se edhe shurdhonjëse. Shërbimi, sidomos, vuan mjaft, nga mungesa e organizimit ndofta. Sepse sa për personelin, ata përpiqen me mish e me shpirt për të kënaqur njerëzinë: përpjekje shterpe, pse më të shumtët e klientëve kërkojnë Evropën në Shkëmbin e Kavajës! Po këta harrojnë se njeriu me pak vullnet të mirë mund, për bukuri, të kёnaqet, sidomos duke konstatuar se sido kudo puna ka një pёrparim, një evolusjon: 
Tre vjet më parë s’kish veçse rrër e det n'atë vend. Tani ka oda me shtrete, makari të skatëruarë, e një restaurant mjaft të shijshëm, birrë të ftohët e pjepra të lira .... Shkurt, kemi një vënd ku mund të shkojmë një ditë pushimi mjaft të këndëshme, e ku trupat vijnë në kontakt direkt me ajrin, me diellin e me .... sytë. Mot ndofta do të kemi një palace të vogёl e modern, po mos harroni të krypur edhe nga çmimet! ... 
Të dijmë, pra, të kënaqemi e të presim.....
N. Ç.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Një grua 41-vjeçare vuan nga një sëmundje e rrallë, që e bën atë të plaket tetë herë më shpejt sesa personat e tjerë në mbarë botën.

Ditët e fundit dukesha Meghan Marke dhe Princ Harry janë ‘sulmuar’ nga mediat dhe ndjekësit e tyre për udhëtimet me avion privat dhe push

Klodjana Haxhiaj, gazetarja e njohur në Durrës e cila ndër vite ka raportuar ngjarje nga më të ndryshme për qytetin bregdetar, sot ka dhë

Kujtimet janë si një muzë plot me gjëra të bukura, por edhe të shëmtuara, megjithatë studimet po i vënë në diskutim ato.

Shtëpia e Gary Neville është padyshim një nga më të veçantat e para ndonjëherë. Shtëpia ka formë luleje, e mimetizuar në mënyrë perfekte

Rike Roçi u bë një ndër vajzat më të ndjekura dhe të komentuara në rrjete sociale pas pjesëmarrjes së saj në reality show “Big Brother” d

Një punëtor bashkiak në provincën Manisa të Turqisë gjeti një çantë që kishte 2 milionë lira turke (360.000 dollarë) në një park lokal dh