Në një sallë të mbushur plot në Pallatin e Kongreseve, këngëtari grek me famë Notis Sfakianakis mbajti koncertin e tij recital mbrëmjen e së enjtes.

Ky koncert u parapri nga një debat i fortë, sidomos në rrjetet sociale për qëndrimet e këngëtarit ndër vite si mbështetës i partisë së ekstremit të djathtë në Greqi, “Agimi i artë”. Këngëtarit i janë faturuar edhe disa deklarata kundër shqiptarëve që sipas asaj që shkruhet online, ai ka thënë se janë “racë inferiore”.

Ky debat duket se nuk e ka lënë indiferent as vetë këngëtarin 58-vjeçar që mbrëmjen e së enjtes e ka ndërprerë koncertin për gati 5 minuta për të mbajtur një fjalim para të pranishmëve në sallë. Sfakianakis është shprehur se nuk ka folur kurrë kundër shqiptarëve dhe për më tepër t’i ketë ofenduar ata, citon lapsi.al.

“Nuk i kam fyer kurrë shqiptarët. Kanë shtrembëruar fjalët e mia. Ju jeni një komb i lashtë dhe me histori”, citohet të ketë thënë ndër të tjera Sfakiankis.