Barack Obama është mbreti i Twitterit: asnjë yll rroku nuk arrin t’i afrohet. Në Twitter është ndezur lufta për sa i përket numrit të ndjekësve; Katy Perry prej gjashtë vitesh është mbretëreshë e pa sfiduar e rrjetit social me 107 milionë e 800 mijë ndjekës.

Por duket se po e humbet garën. Ish-presidenti amerikan, Barak Obama, është duke u bërë njeriu më i ndjekur në Twitter.

Për momentin ai është në vend të dytë me 107 milionë e 600 mijë ndjekës, por gjithçka mund të ndryshojë shumë shpejt. Sipas ekspertëve, ish-presidenti amerikan, çdo muaj fiton gjysmë milionë ndjekës, kundrejt 130 mijëve të Katy Perry-t.

Por, në majën e klasifikimit të profileve më të ndjekur në Twitter, obama është një përjashtim. Në fakt, ata që dominojnë në fushë janë mbi të gjitha yje rroku dhe idhuj adoleshentësh, si Justin Bieber, Lady Gaga, Rihanna dhe Taylor Swift.

Mes sportistëve, më i ndjekuri mbetet Kristiano Ronaldo. Por ka një kundërshtar që Obama nuk i druhet, të paktën në rrjet, dhe ai është Donald Trump. Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara është në distancë me 62 milionë e 800 mijë ndjekësit, pavarësisht se mban rekorde të tjera.