Shefi i kabinetit të kancelares gjermane, Merkel u shpreh i mërzitur pas lajmit se ish-futbollisti i kombëtares, Mesut Ozil i kishte kërkuar presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan të ishte dëshmitari i tij në martesë.

"Patjetër që na trishton si lajm, pasi dikush që ka mbajtur kaq gjatë fanellën e ekipit të Gjermanisë, i cili u përball me një reagim të tillë të opinionit gjerman pas takimit të parë me Erdogan, dhe e gjitha kjo të përfundojë në këtë mënyrë, ky është një zhgënjim i vërtetë për tifozët dhe mua gjithashtu. Në fund të fundit, bëhet fjalë për një vendim privat që duhet ta pranojmë", tha Helge Braun, shefi i kabinetit të Angela Merkel në një intervistë për të përditshmen "Bild’".

"Bild" publikoi të dielën lajmin se futbollisti mendonte t’i kërkonte kreut të shtetit turk të ishte dëshmitari i tij në kurorëzimin e martesës. Data dhe vendi i ceremonisë nuk bëhen të ditura.

E përditshmja ka qenë një nga zërat më kritikë, në maj dhe qershorin e kaluar, ndaj Ozil i cili u fotografua duke i dhuruar një fanellë presidentit Erdogan, personazh kontrovers në Gjermani pas një ftohje prej më shumë se dy vitesh të marrëdhënieve me qeverinë.