Dukesha e Kembrixhit ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tretë, një djalë, pikërisht në ditën e “St George”. Kështu njoftojnë nga Pallati mbretëror i Kensingtonit.

Kate u dërgua në spital mëngjesin e sotëm, në “St Mary” të Paddingtonit, në Londër, e solli në jetë Princin e ri vetëm pak orë më vonë, pa komplikacione.

Foshnja është i pesti në radhë për kurorën, ndërsa rezulton stërnipi i gjashtë i Mbretëreshës dhe Dukës së Edinburgut, sikurse edhe vëllai i Princit George dhe Princeshës Charlotte.

“Dukesha e Kembrixhit solli në jetë djalin në orën 11:01 dhe peshoi 3.8 kg. I pranishëm ka qenë edhe Duka i Kembrixhit, Princi William. Dukesha dhe djali janë në gjendje të mirë shëndetësore. Mbretëresha, Duka i Edinburgut, Princi i Uellsit, Dukesha e Cornwallit, Princ Harry dhe pjesëtarët e të dyja familjeve janë informuar dhe janë tejet të gëzuar për këtë lajm”.

Kanë kaluar vetëm pak orë dhe Princ William, Kate dhe i porsalinduri kanë bërë daljen e parë publike.