Një 10-vjeçare në Itali humbu jetën për shkak të aplikacionit Tik-Tok. 10-vjeçarja nga Palermo po merrte pjesë në një sfidë në TikTok të quajtur “blackout” duke vendosur rrip rreth qafës dhe duke e mbajtur frymën dhe njëkohësisht duke e incizuar veten me telefon.

E mitura ndërroi jetë nga asfikisa dhe pas kësaj ngjarje tragjike pati reagime të shumta. Agjencia italiane për privatësinë e të dhënave ka urdhëruar aplikacionin TikTok që të bllokojë llogaritë e gjithë përdoruesve, për të cilët nuk është e mundur identifikimi i moshës.

Edhe pse TikTok është zotuar që do ta ndalojë regjistrimin e fëmijëve nën moshën 13-vjeçare ky rregull anashkalohet. Prandaj u urdhërua që të bllokohen llogaritë e pavërtetuara të përdoruesve deri më 15 shkurt dhe të presë të dhënat e tjera nga autoritetet.

“Ne po analizojmë informacionet e marra nga autoritetet italiane. Privatësia dhe siguria janë një përparësi kryesore për TikTok dhe ne vazhdimisht po punojmë për të forcuar politikat dhe privatësinë  për të mbrojtur të gjithë komunitetin dhe përdoruesit që janë më të rinj në moshë”, thuhet në një deklaratë të këtij aplikacioni.