Fatkeqësisht, të ngrihesh në detyrë është më tepër një art se një shkencë. Je apo nuk je duke pritur për një ngritje në detyrë, këto 5 këshilla mbi ato që duhet dhe nuk duhet të bësh në rast se kërkon të shkosh më lart ose të marrësh një pagë më të mirë, do të të ndihmojnë të arrish qëllimet e tua dhe të kuptosh gjithashtu gabimet.

1. Të mos njohësh kurrë kontributin e të tjerëve në punën tënde

Një nga të vërtetat më të rëndësishme mbi menaxhimin, është se kur njerëzit nën ty po punojnë mirë, është merita e tyre, ndërsa kur ata prishin gjithçka është faji yt. Njerëzit, të cilët të respektojnë dhe me të cilët është e këndshme të punosh, të japin gjithnjë merita aty ku vërtet ke punuar dhe nuk e hedhin punën tënde poshtë.

Një nga sjelljet që do të të bëjë të mos ngrihesh në detyrë, është nëse nuk i përgëzon kolegët, sillesh në mënyre negative dhe nuk pranon që dikush tjetër mund të ketë të drejtë.

2. Të kërkosh në mënyrë të vazhdueshme të ngrihesh në detyrë në vend që të mendosh sesi mund të përmirësohesh

Kjo nuk do të thotë se kurrë nuk duhet ta kërkosh këtë gjë, por duhet të jesh i zgjuar për të gjetur kohën e përshtatshme se kur ta kërkosh dhe si ta kërkosh këtë gjë te supervizori yt. Nëse do të shkosh lart, fokusohu sesi të përmirësohesh dhe të arrish rezultate më të larta, në kontributet e tua dhe në mënyrën e punës.

Të pyesësh dhe të kërkosh gjithë kohën që të rritesh në detyrë në vend që të kontribuosh dhe të punosh më tepër, sigurisht nuk do të të ndihmojë.

3. Fokusohu se çfarë kërkon nga rritja në detyrë

Është çmenduri fakti se shumë njerëz e kërkojnë rritjen në detyrë për shkak se thjesht e bëjnë punën e tyre mirë. Kjo nuk vjen thjesht nga të bërit të punës mirë, por vjen nëse ti me atë që bën i jep realisht vlera kompanisë ku punon, jashtë rolit që të është dhënë.

Nëse e kërkon rritjen në detyrë pa i plotësuar këto kushte, shefi yt do të kuptojë se e kërkon vetëm për arsye personale dhe jo në të mirë të kompanisë dhe nuk do të marrësh përgjigje pozitive.

4. Të kërkosh ngritje në detyrë në mënyrë emocionale në vend që të fokusohesh te faktet

Shumë shpesh njerëzit nxehen dhe frustrohen në këto biseda, duke u tërhequr pa u shprehur se çfarë meritojnë. Mos e përdor një eksperiencë negative si një shkas për të kërkuar diçka ose të thuash se punon më tepër se të tjerët prandaj meriton më tepër para. Fokusohu te faktet. Çfarë të mire sjell eksperienca jote specifike? Sa ndryshime pozitive ke sjellë? Çfarë do të bëje ndryshe nëse do të rriteshe në detyrë?

Nëse e kërkon ngritjen në detyrë thjesht sepse një moment ndihesh i frustruar apo i nevrikosur me situatën, në vend që të fokusohesh te faktet, nuk do të arrish sërish asgjë.

5. Të heqësh dorë dhe të tregohesh i paduruar

Ngritjet në detyrë përgjithësisht nuk vijnë në momentin që ti i pret, madje edhe nëse është qartësisht e dukshme se e meriton diçka të tillë. Çelësi është që të përpiqesh të kuptosh se çfarë kërkon shefi yt nga ty, në mënyrë që të justifikosh lëvizjen për në një rol të ri.

Nëse heq dorë dhe nuk pret sa duhet, nuk do të rritesh kurrë në detyrë.

Përdor marrëdhëniet me supervizorin tënd për t’u fokusuar sesi mund të përmirësohesh dhe të bësh më tepër për kompaninë tënde. Nëse vepron në këtë mënyrë, ngritja në detyrë do të vijë më shpejt nga sa mendon.

Burimi: Business Magazine

Marrë nga "Class"