Në kohën e koronavirusit, bizneset në Durrës po përpiqen të kalojnë me sa më pak humbje vështirësitë që sjell karantinimi brenda në shtëpi i të gjithë qytetarëve dhe masat drastike të qeverisë.

Të paktën, ata që munden, përpiqen të përshtaten me situatën duke operuar në kushtet e luftës me armikun e padukshëm, Covid-19.

Një prej tyre është restoranti “2 Kitarrat”, që ka nisur shërbimin katering që nga data 25 mars. Administratori i restorantit, Adil Beqiraj, tha për DurrësLajm se ata i mbyllën dyert menjëherë pas vendimit të qeverisë më datë 11 mars.

“Është një situatë mjaft e vështirë, nuk kemi kaluar asnjëherë më parë një gjë të tillë. Edhe pas tërmetit të 26 nëntorit, tronditja ishte e madhe, por ne vazhduam të qëndronim hapur, pas sigurisë që morëm nga grupi i ekspertëve izraelitë se hoteli dhe restoranti nuk kishin pësuar asnjë dëmtim. Madje strehuam edhe disa persona të mbetur pa shtëpi. Ndërsa në kohën e pandemisë së Covid-19 po përpiqemi të bëjmë diçka. Qëndruam mbyllur më shumë se një javë, por më pas rifilluam me këtë formë të re, me kateringun”,- thotë Beqiraj.

Tek restoranti i njohur në Durrës të gjithë njihen me njëri-tjetrin dhe janë si një familje e madhe. Adili tregon se për të ishte e vështirë t’u telefononte secilit anëtar të personelit për t’i komunikuar se deri në përmirësimin e situatës një pjesë e tyre do jenë të detyruar të rrinë në shtëpi.

“Kishim 34 punonjës tek restoranti dhe hoteli dhe 22 prej tyre do të duhet të qëndrojnë në shtëpi. Kam folur me zyrtarët e Zyrës së Punësimit, u kam dërguar listën e plotë, në mënyrë që punonjësit të mund të përfitojnë pagesën e papunësisë. Në rastet kur kemi të punësuar një çift, jemi munduar që njëri prej tyre të qëndrojë në punë, në mënyrë që të çojë një rrogë në shtëpi. Është situatë e vështirë për të gjithë”,- thotë Beqiraj.

Duke u ndalur tek shërbimi katering, administratori i restorantit “2 Kitarrat” rrëfen se gjithçka nisi me qëllimin për të mos shkëputur lidhjet me klientelën besnike.

“Sapo e publikuam shërbimin e ri në rrjete sociale, kemi pasur me qindra reagime pozitive. Klientët na kontaktonin të lumtur duke na falenderuar. E mirëpritën nismën tonë dhe filluan porositë e para. Vlen të theksojmë se tashmë operojmë me një menu fikse për çdo ditë, me ndonjë përjashtim të vogël. Kemi aplikuar edhe ulje të konsiderueshme, me qëllim që edhe ne të jemi solidarë me vështirësitë që po kalojnë të gjithë”,- thotë Beqiraj.

Peshku, picat, pastat e larmishme, por edhe ëmbëlsirat e dy mjështërve të kulinarisë së restorantit “2 Kitarat” vijnë çdo ditë në tavolinat e qytetarëve durrsakë. Sasia dhe cilësia janë të njëjtat, madje në këtë periudhë një kujdes i shtuar i kushtohet higjienës dhe pastërtisë në të gjitha hallkat, nga përgatitja në kuzhinën e restorantit e deri në dorëzimin në shtëpitë e qytetarëve.

Beqiraj e pranon se biznesi nuk siguron të ardhura si më parë, por gjatë javëve apo muajve të luftës e rëndësishme është mbijetesa.

“Sigurohen të ardhurat për 14 punonjësit që kemi mbajtur në punë. Nuk është më e mira e mundshme, por është më e mira që mund të bëjmë tani për tani. Shpresojmë që pandemia të mos zgjasë shumë kohë dhe të ketë sa më pak humbje njerëzore”,– thotë Adili.

Restoranti “2 Kitarrat” ka qenë që nga dita e hapjes, 1 korrik 2004, një pikë takimi e rëndësishme e qytetarëve durrsakë për të konsumuar një drekë të shijshme mes familjarësh apo miqsh, një darkë nën tingujt e muzikës live apo një event shoqëror. Ditët e fundit, në profilet në rrjetet sociale të restorantit të njohur, postohen thuajse çdo ditë video apo foto nga përgatitja e porcioneve që bëhen gati për t’u dërguar në shtëpitë e porositësve.

Pjatat e shijshme janë vetëm një telefonatë larg jush…

“Për menutë e mëposhtme apo për çdo kërkesë tjetër tuajën, na kontaktoni në numrat e mëposhtëm:
+355 68 206 6888
+355 68 202 1992
+355 52 235 802”
– njofton restoranti “2 Kitarrat”.