Në më pak se dy javë pas rrëzimit fatal të helikopterit që i mori jetën Kobe Bryant, vajzës së tij dhe shtatë personave të tjerë, dihet se mjeti me të cilin po udhëtonte legjenda e Los Angeles Lakers, nuk kishte probleme motorike. Ky informacion ka dalë sipas një raporti paraprak të bërë publik së fundmi.

Ekspertët thonë se ky studim ka treguar se motorët ishin duke punuar në kohën kur ndodhi aksidenti, kështu që vdekja e një prej basketbollistëve më të mirë në historinë e NBA, nuk lidhet me mos funksionimin e motorit të helikopterit. Një dëshmitar ka thënë për “NTSB” se helikopteri po flutoronte nëpër mjegull para se të rrëzohej në kodrën Calabasas, në Kaliforni.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit që po kryen hetimet, do të shikojë se çfarë roli ka luajtur moti në këtë aksident, megjithëse nuk do të ketë raport përfundimtar për të paktën një vit. Në helikopter ndodheshin 9 persona dhe të gjithë humbën jetën. Mes viktimave ishte edhe vajza 13-vjeçare e Kobe.