Përderisa Arktikut po i shkrihet akulli, banorëve të Qaanaaqas, qytetit që ndodhet në skajin më verior të Grenlandës, po iu rrezikohen shtëpitë, jeta dhe ekzistenca e tyre. Ky qytet paraqet një ndër shembujt më të qartë të pasojave të para të ndryshimeve klimatike.

Një pjesë e madhe e 650 banorëve të qytezës jetojnë në zonat që janë përherë të ngrira, të cilat për një kohë të gjatë kanë shërbyer si tokë e qëndrueshme për ndërtesat dhe infrastrukturën e Arktikut. Sidoqoftë, me ngritjen e temperaturave kjo tokë është bërë më e paqëndrueshme për shtëpitë e qytezës së vogël. Kjo po paraqet rrezik për banorët.

Ka edhe qytete të tjera që gjenden në këso tokash të paqëndrueshme. Megjithatë, ato janë të ndërtuara mbi sipërfaqe gurore. I ndërtuar në vitet ‘50, atëherë kur ngrohja klimatike nuk paraqiste problem, Qaanaaq është e vetmja qytezë që është e ndërtuar në tokë të butë. “Ndryshe nga sipërfaqet e tjera, kjo tokë përmban ujë, gjë që paraqet sfidë”, thotë Sebastian Zastruzny, profesor në Universitetin e Kopenhagës, i cili e ka studiuar këtë lloj toke qe disa vjet. “Kur kjo tokë ngrihet dhe pastaj zbutet, lëviz poshtë dhe lart dhe kjo ndikon që shtëpitë dhe infrastruktura të rreshqasin dhe të fundosen”, shtoi ai.

Gjatë këtij viti, Grenlanda ka pasur temperatura që kanë arritur deri në 23 gradë, që paraqet shkallë më të lartë se mesatarja e temperaturës gjatë periudhës 1958-2002.

Në shtator të këtij viti, sipërfaqja e akullit ishte për 26.6% më e vogël se mesatarja e sipërfaqes në periudhën 1981-2010. Edhe trashësia e akullit është zvogëluar. Nga viti 1980 deri në vitin 2008, trashësia e akullit ka rënë nga 3.64 metra në 1.89 metra, shkruan “BBC”.