Lulzim dhe Aurela Basha ishin sot në emisionin “E diela shqiptare” në një intervistë ndryshe. Të dy gjimnazistë te Sami Frashëri, kreu demokrat dhe bashkëshortja e tij, rrëfyen se si janë njohur, si kanë shkuar në Holandë për studime.

“Kemi qenë te shkolla “Sami Frashëri” fillimisht në klasa të ndryshme, pastaj klasa ime u shkri dhe unë shkova në të njëjtën klasë ku ishte Aurela”, u shpreh Lulzim Basha, duke folur për vitet e gjimnazit.

Ata rrëfyen se kishin shkuar në Holandë me studime 1 vit pasi mbaruan gjimnazin, falë një projekti të një fondacioni holandez, që mbështeste rininë shqiptare në vitet 1991.

Aurela Basha rrëfeu se ka pasur si hobi hipizmin, ndërsa Lulzim Basha kishte si pasion DJ.

“Kur kam shkuar në Holandë u përballa me një tjetër realitet, pasi unë nuk kam ditur të skuq as një vezë. Mu desh të mësoja të gatuaja, të bëja pazar, pra ishte një eksperiencë krejt e panjohur për mua”, tha Lulzim Basha, duke kujtuar vitet e rinisë.

Lulzim dhe Aurela Basha thanë se nuk kanë bashkëjetuar asnjëherë me njëri-tjetrin, ndërsa shfrytëzonin fundjavat për t’u takuar.

“Në vitin 1998-1999 unë shkova në Kosovë për të punuar, ndërsa Aurela qëndroi në Holandë”, tha kreu demokrat.