Sharon Stone, një prej aktoreve më në zë të Hollivudit, rrëfen se pas hemoragjisë cerebrale që e goditi në vitin 2001, iu deshën plot 7 vite të merrte veten dhe parajsa e filmit e harroi.

“U trajtova me një mungesë brutale dashamirësie”, thotë diva e ekranit në intervistën e dhënë, për revistën “Variety” gjatë një eventi mbi rritjen e ndërgjegjësimit mbi shëndetin e trurit te gratë.

Goditja cerebrale e 61-vjeçares kishte qenë e rëndë; hemoragjia sipas saj, pati vazhduar për 9 ditë.

“Njerëzit më trajtuan shumë keq, madje edhe gra që më rrethonin. Mendoj se nuk arrijnë ta kuptojnë plotësisht sesa e rrezikshme mund të jetë kjo situatë, për femrat dhe sa shumë kohë kërkon rikuperimi. Mua m‘u deshën vite të tëra”, kujton Sharon. 

Një dekadë përpara këtij episodi, Stone kishte kapur majat e famës me rolin e protagonistes në thrillerin “Basic Instict”, e më vonë fitoi një nominim për Oskar, me interpretimin në filmin e Martin Scorsese, “Casino”.

Por pas sëmundjes e lanë në harresë.

“Më shpëtoi një kontratë e “Dior-it” në 2005-n”, shprehet aktorja e famshme, e cila pavarësisht vështirësive ka vazhduar të mbetet mjaft aktive.