Fotoreporteri Bilal Jawich ishte në shtëpinë e tij, në periferi të Bejrutit kur një shpërthim, i cili ka lënë të paktën deri tani mbi 100 të vdekur dhe mijëra të plagosur, tronditi kryeqytetin libanez.

“Unë ndoqa ngjarjen derisa arrita në portin e Bejrutit,” i tha ai CNN, duke shpjeguar se “intuita profesionale” e çoi në spitalin Al Roum, në Ashrafieh të Bejrutit.

Zona ishte shkatërruar tërësisht nga shpërthimi.

Ajo që vuri re atje ishte edhe më e jashtëzakonshme. “U mrekullova kur pashë infermieren duke mbajtur tre fëmijë të porsalindur,” – tha Jawich. – “Vura re qetësinë e infermieres, e cila doli në ballkon për të parë se çfarë kishte ndodhur. Disa njerëz të vdekur dhe të plagosur shtriheshi afër tyre”, tha ai.

Jawich tha se mësoi më vonë se infermierja ndodhej në repartin e maternitetit kur ndodhi shpërthimi. Ajo u fut në dhomën e tyre dhe “u gjet duke mbajtur në krahë tre fëmijët, për t’i shpëtuar”.

Jo të gjithë në atë spital ishin me fat. George Saad, drejtor i urgjencës, i tha CNN se 12 pacientë, dy vizitorë dhe katër infermierë vdiqën në katastofën e djeshme, ndërsa dy janë në gjendje kritike. Rreth 80% e spitalit është dëmtuar, së bashku me 50% të pajisjeve.

“Katër spitale janë jashtë shërbimit pas shpërthimit”, – tha ministri i Shëndetësisë në Liban.